“Tirana Patience” emërtohet ekspozita e fundme e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë që prej dhjetorit 2019, duke vijuar të qëndrojë hapur deri në dhjetor 2020, shoqëruar herë pas here me veprimtari shpjeguese nga artistë pjesëmarrës në ekspozitë, si dhe nga intelektualë të fushave të ndryshme.
Ekspozita është kuruar nga Nataša Ilić (Natasha Iliç) dhe Adam Szymczyk (Adam Zymshik), kurse arkitektura e saj është konceptuar nga Joanna Meyer-Grohbrügge (Xhoana Mejer Grohbruge).
Shumica e veprave janë pjesë e koleksionit të gjerë të artit realist socialist, të prodhuar në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial (vitet 1946-1990), koleksion i cili ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve që prej vitit 1954.
“Tirana Patience” përfshin punë nga: Abdulla Cangonji, Abdurrahim Buza, Alush Shima, Andon Lakuriqi, Arben Basha, Aristotel Papa, Bajram Mata, Bardhyl Dule, Çlirim Ceka, Dashamir Myftari, Dhimitër Mborja, Edison Gjergo, Fatmir Haxhiu, Franc Ashiku, Fuat Dushku, Guri Madhi, Harrilla Dhimo, Hasan Çapari, Hasan Nallbani, Ismail Lulani, Isuf Sulovari, Jorgji Gjikopulli, Kristaq Rama, Llambi Blido, Lumturi Blloshmi, Mumtas Dhrami, Musa Qarri, Myrteza Fushekati, Nexhmedin Zajmi, Pandeli Lena, Pandi Mele, Petro Kokushta, Rafael Dembo, Sadik Kaceli, Sali Shijaku, Shaban Hysa, Skënder Lako, Skënder Kamberi, Skënder Milori, Sotir Capo, Spiro Kristo, Stavri Çati, Vasil Talo, Vilson Halimi, Vilson Kilica, Zef Shoshi.
Sot, ekspozitat mund të ndërveprojnë me vizitorin përtej mënyrës tradicionale. Udhërrëfimi teorik është një mënyrë ndërveprimi, por ndalimi i së drejtës për të parë shumë prej pikturave të shfaqura është një tjetër mënyrë e shfrytëzuar në ekspozitën “Tirana Patience”. Kundërshtia që mbart në vetvete taktika e ndalimit të shikimit të një numri të caktuar veprash në një galeri, qëllimi i parë dhe i fundmë i së cilës është shikimi i tyre, përbën në vetvete një lloj ngacmimi, një lloj zgjimi për shikuesin.
Ekspozita paraqet gjithashtu komisionime, vepra të reja dhe ndërhyrje performative nga artistë, kuratorë dhe studiues: Anri Sala, Anna Daučíková, Arnisa Zeqo, Artur Żmijewski, Chto Delat, David Maljković, Doruntina Kastrati, Erëmirë Krasniqi, Gentian Shkurti, Ibrahim Mahama, Iman Issa, Johanna Meyer-Grohbrügge, Kristina Koljaka, Larion Lozovoy, Noit Banai, Olsi Lelaj, Sezgin Boynik dhe Thomas Logoreci; Ata paraqesin punimet e tyre artistike ose shkëmbejnë njohuri, duke iu drejtuar veprave të veçanta brenda koleksionit të përhershëm dhe duke ua paraqitur vizitorëve në mënyrë rrëfimi dhe ndërveprimi i cili vërtitet rreth një të kaluare tronditëse nga e cila shoqëria shqiptare nuk është shëruar ende.
Anri Sala përfshihet në këtë ekspozitë me veprën (video) “Intervista” (1998), e cila kryqëzon historinë vetjake me atë shoqërore, duke risjellë peizazhin e mbingarkuar politik të Shqipërisë totalitare;
Larion Lozovoy, përmes videos së vet “The machine and dhe garden”/“Makina dhe kopshti” (2018), analizon filmat e realizmit socialist, duke nënthënë se edhe peizazhi më asnjanës mund të fshehë marrëdhënie pushteti dhe të përcjellë kumte ideologjike;
Iman Issa paraqitet me një punim zanor, emërtuar “The revolutionary”/“Revolucionari” (2010), i cili tregon historinë e trilluar të një karakteri që ndërtohet mbi bazën e termit “revolucionarja”;
Chto Delat sjell në ekspozitë një video-projekt, “Builders”/“Ndërtuesit” (2004-5), i cili frymëzohet nga piktura “Ndërtuesit e Bratskit” i Viktor Popkovit, punim ky i kthyer sot në simbolin e njerëzve me vetëkontroll dhe të përqendruar, në prag ndryshimesh të mëdha;
David Maljković (“Untitled”/“Pa titull”, 2019) mbulon skulpturat e periudhës socrealiste me pleksiglas me ngjyra, duke i bërë skulpturat njëherësh më shumë dhe më pak të dukshme, duke pasqyruar kështu tensionin në thelb të çdo qasjeje ndaj “trashëgimisë”;
Gentian Shkurti vjen me veprat e emërtuara “Frames”/ “Kornizat”; copëza peizazhesh të paracakturara për t’u ndryshuar në të ardhmen e afërt; kornizimi, në këtë rast, është jashtë pushtetit të piktorit mbi telajo, pra, kornizat janë të detyruara të shtyhen sipas ndryshimeve të pritshme;
Anna Daučiková paraqet një video (“33 situations”/“33 situata”, 2015), që pasqyron të kaluarën e jetës private të njerëzve në Bashkimin Sovjetik. Ajo shtjellon përvojat e jetës së saj në shtetin e vonë sovjetik, duke vënë në pikëpyetje të vërtetën dhe trillimin, keq/përfaqësimin dhe ri/formulimin e kujtesës historike;
Doruntina Kastrati, me instalacionin e emërtuar “Public Heroes and Secrets”/“Heronjtë publikë dhe të fshehtat” (2019), i cili nxitet prej kushteve të punëtorëve në Kosovë dhe rajon, pasqyron manipulimin e rëndë ndaj “heroit” të së sotmes të shfrytëzuar pamëshirshëm krahasuar me manipulimin ideologjik të atëhershëm, me anë të të cilit prodhohej lumturi e rrejshme totalitare;
Artur Żmijewski merr pjesë me një film (“Zeppelintribüne”, 2002) mbi kujtesën historike, mbi depersonifikimin. Pavarësisht kujtimit pervers, shfaqen në brendësi të tij shumë turistë që qëndrojnë në ballkonin e dikurshëm të Hitlerit, ngrenë dorën, duke kryer përshëndetjen naziste;
Kristina Koljaka vjen me veprën “Pyllëzimi” (1951), e cila është një skulpturë në bronz, pjesë e fondit të GKA-së dhe paraqet një kompozim me dy figura mbi një bazament.
Ibrahim Mahama, po ashtu pjesëmarrës në ekspozitë, mbulon ballinën e Galerisë Kombëtare të Arteve me një instalacion (“Palace of dreams”/“Pallati i ëndrrave”, 2012-2019) me përmasa mjaft të mëdha, duke përdorur si lëndë të parë thasët prej jute që shërbejnë për të transportuar kakao, kafe dhe qymyrgur. Frymëzuar nga vepra e Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”, instalacioni synon të paraqesë kundërshtitë/paradokset e qenësishme brenda historisë dhe format e punës që shfrytëzohen në kohën e sotme.
Ekspozita “Tirana Patience”, përmes këtij bashkimi kohësh (veprash), synon të veprojë si rikujtesë për shikuesit, por edhe si nxitës/ngacmues debatesh të hapura të cilat kanë si thelb shqyrtimin e ndërveprimit individ-shoqëri në sisteme krejt të ndryshme politiko-shoqërore.