Galeria “Zeta” hap në datat 24 shtator – 8 tetor 2019 ekspozitën “Malet dhe uji dhe lulet dhe zogjtë” të artistit austriak Wilhelm Scheruebl. Që në emërtim të ekspozitës ndërmendet pamja natyrore. E plotë a e pjesshme, në pasqyrim besnik apo simbolik, natyra është mbizotëruese në hapësirën paraqitëse të ekspozitës.

...

Të menduarit shqyrtues tek artisti zë fill nga drita; drita si burim zhvillimi gjithëpërfshirës për jetën, përfshirë këtu edhe mendjen njerëzore; drita si tregues vendimtar për njohjen e botës, për pasurimin e dijes, sigurisht falë veprimeve shndërruese kudo në natyrë.

Malet, më saktë kreshtat e tyre, vijnë në ekspozitë përmes instalacionit me qeleshet shqiptare; uji përmes rruzujve të vegjël të argjendtë; lulet janë të pranishme vërtetësisht, por edhe përmes pasqyrimit artistik, vizatimit; kurse zogu është shpendi-simbol kombëtar i vendit të vizituar prej artistit në fjalë.

Harta e thyer e Shqipërisë paraqet të gjitha vendndalimet e tij në udhëtimin kryq e tërthor saj, udhëtim të cilin e pasqyron edhe këndi instalativ me fatura dhe shkrime kuratoriale ekspozitash, ngjyrosur me teknikën e rrjetës së dendur përmes së cilës drita depërtuese bën të dukshme një përqindje të caktuar, kurse dendësia e ngjyrës në pjesën tjetër të sipërfaqes mbulon atë çfarë nuk do të na kujtohet më, ndoshta për shkak të mungesës së gjurmës së fortë te ne, ndoshta për shkak të kohës që rrjedh.

Artisti dëshiron të vërë në pah që çdo lëndë, çdo jetë është në zhvillim e sipër dhe, për pasojë, shndërrimi është i pashmangshëm. Prania e luleve të vërteta e shndërron edhe ekspozitën në një mjedis që ndryshon nga çasti në çast, sepse aty nuk ka vetëm frymëmarrje artistike. Falë luleve, ekspozita ka nevojë vazhdimisht për ujë, një prej përbërësve themelorë të jetës.

Vetë  shkrimi kuratorial mbi ekspozitën shpreh: “E rëndësishme është që, çdo lloj materiali është vazhdimisht në një proces shndërrimi. Kjo është e dukshme kudo në ciklet e natyrës, nga ndryshimi i stinëve deri në fundin e caktuar të qenies sonë trupore. Një bimë e dëshmon këtë qëndrim të vazhdueshëm; ajo përfaqëson ciklin stinor, nga fidani, te lulja, te prodhimi i farave, deri te formimi i tokës së re nga lënda bimore e pajetë.”.

Wilhelm Scheruebl ka lindur në Radstadt, Austri (1961). Studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë (1985), ku edhe u diplomua (1990). Puna e tij është paraqitur në: Galeri M+, Bratislavë (1991); Galeri A4, Uels (Wels) (1992); Galeri 5020, Salzburg (1993); Instituti francez i Vjenës, Vjenë (1994); MAK, Museum für angewandte Kunst, Vjenë (1997); ACP GaleriPeter Schuengel, Salzburg (1998); Duff House, Banff, Skoci (2000); Kunstverein Rosenheim, Rosenheim (2001); Rupertinum Salzburg, Salzburg; Oberösterreichische Landesgalerie, Linz (2004); Galeri Traklhaus, Salzburg; Lenbachhaus Museumsplatz, Mynih (2005); Knoll Galerie, Vjenë; Knoll Galeri, Budapest (2006); Haus der Herren zu Kunstat, Brünn; Kulturzentrum bei den Minoriten, Graz (2007); Im Pavillon, Uels (Wels) (2008); Galeria Eugen Lendl, Graz; Museum WaidhofenKnoll Galeri, Vjenë; Städtische Galeri, Rosenheim; allerart, Bludenz (2009); Museum Stift AdmontGaleri artdepot, Innsbruck (2013); Galeria Eboran, Salzburg (2014); Salzburg Museum, Salzburg; Kunstraum St. Virgil, Salzburg (2015); Galeri artdepot, Innsbruck; MQ Artbox, Vjenë (2016); Kunsthaus Nexus, Saalfelden (2019).