Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeqytet mirëpret pranë ambienteve të saj ekspozitën “Il Nuovo Design Italiano“ (Dizajni i Ri Italian). Ekspozita e kuruar nga Elisabetta Pisu nga IMF Foundation, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe EP Studio, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 gusht, 2021.

...

Veprat e ekspozuara janë selektuar mes krijimeve të 7 përfaqësuesve të ndryshëm të valës së re të dizenjatorëve italianë.

Estetika që gjithmonë ka shoqëruar kulturën italiane, sipas fjalëve të ambasadorit të Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci, në këto vepra përzihet me tipare të jashtme, si p.sh. elemente baroke dhe lindore. Sipas drejtoreshës së IIC, Alessandra Bertini Malgarini, dizajni bashkëkohor ka shkuar përtej atij tradicional, pikërisht në heqjen dorë nga kujdesi dhe maturia që dizajni italian ka pasur në zanafillë dhe që në fakt e ka bërë atë të pakohë dhe të famshëm. Ndërsa, sipas kuratores Pisu, tashmë ka nisur një epokë e re, ku origjinaliteti dhe liria qëndrojnë në themel të veprave të mira. Krijimet sa artistike aq edhe funksionale, bashkojnë risinë me traditën pa zvetënuar asnjërën. Së fundmi, është mjeshtëria artizanale që i jep rëndësi cilësisë dhe e kthen dizajnin në faktor të fortë ekonomik për Italinë.

Pak më tepër mbi artistët mund të mësojmë nga veprat dhe karriera e pasur e secilit.

Ilaria Bianchi ka sjellë tri difuzorë esencash në koleksionin e quajtur „Essenziale“ (Esenciale, 2018). Ato përbëhen prej mermerit e tunxhit dhe janë prodhuar nga kompania veroneze Il Marmo, ndërsa aroma e cila shpërdahet nga to vjen nga bashkëpunimi mes Ostens dhe parfumieres Juliette Karagueuzgiou. Dizenjatorja e formuar në Torino dhe Londër eksploron në këtë koleksion interesin në rritje për aromatizuesit e shtëpisë dhe i sjell ata në një format kinetik, pasi difuzorët rrotullohen duke shpërndarë aromën.

Federica Biasi, e diplomuar për dizajn në Milano dhe prej disa vitesh në krye të studios personale, përfaqësohet në ekspozitë nga „Elettra“ (2017). Krijuar për markën Mingardo, ku Biasi shërben si drejtoreshë artistike, Elettra është një vazo elegante me një lule në të. Mënyra minimale dhe e veçuar e pozicionimit të lules, duke e ngritur atë larg bazës, e shfokuson vëmendjen e vizitorëve nga vazoja. Karriera e Federica Biasit është fokusuar tek krijimet për shtëpinë, të tilla si karrige, tavolina e qilima.

Matteo Cibic prezantohet në libërthin shoqërues të ekspozitës si enfant terrible i skenës së re të dizajnit italian. Ai vjen në këtë ekspozitë me dy vepra të “Vanilla Noir Collection” (Koleksioni Vanilla Noir), veprën “Wings” (Flatra) dhe “Nanook of the North” (Nanuku i Veriut, 2015), krijuar në bashkëpunim me markën indiane Scarlet Splendour. “Wings“ është një pasqyrë me një kornizë që kujton letrat e bixhozit, ndërsa “Nanook of the North“ është një kalë lëkundës i gdhendur në fildish. Të dyja veprat janë të vijëzuara nga një kontrast i mprehtë bardh e zi.

Koleksioni që prezanton Serena Confalonierin, specialiste në dizajnin produktiv, titullohet “Arabesque” (2019), sipas dizajnit tradicional islamik. Sendet e koleksionit janë shumëngjyrëshe dhe bartin një vizion emocional, me hiperbola dekorative, karakteristike të autores. Karriera e Confalonierit është ndërthurur me synime të ndryshme praktike, si orientimi i bizneseve të vogla drejt formave bashkëkohore të dizajnit. 6 objektet prej qelqi borosilikat të koleksionit janë funksionale aq sa të ëmbla estetikisht.

Antonio Facco, autori i llampës së tokës “Mondo” (Bota, 2017), projekton në punimet e tij kontekstin kulturor ku krijon. Veprat e tij përmbajnë shpesh lëvizje, ashtu si edhe Mondo, krijuar për markën Oblure, e cila evokon një glob të mbrojtur me dy rrjeta metalike të lëvizshme. Përdoruesi, duke i pozicionuar rrjetat sipas dëshirës, do të ketë kontroll mbi dendësinë e dritës dhe të luajë me efektet grafike që prodhon mbivendosja e linjave ortogonale të rrjetave.

„MRND“ (2015) është një seri vazosh që prezantojnë Elena Salmistraron, specialisten e dizajnit industrial, të formuar në Milano dhe prej vitesh në bashkëpunim me marka të njohura orendish. Vazot janë realizuar për markën Seletti dhe në nder të artistit Giorgio Morandi dhe frymëzohen nga natyra e tij e qetë. Ato barazpeshojnë format gjeometrike me ngjyrat delikate.

Tipstudio është kompania e krijuar nga Imma Matera (specialiste dizajni produkti) dhe Tommaso Lucarinit (krijues). Së bashku ata prodhojnë objekte të cilat respektojnë traditën e artizanatit, historinë dhe frymëzohen nga rrethinat kulturore të Italisë. Koleksioni „Apollineo“ (2019), i cili i përfaqëson në COD, është shembulli i kësaj shprehie të identitetit kulturor. Objektet (shkallë, shandan, pasqyrë hark, mbajtëse librash, vazo) janë krijuar me gurin e krahinës së Lecce-s dhe mbartin tipare të forta mesdhetare, të vizatuara me dorë. Përmasat e tyre janë të vogla, por arkitektura e ndërtimit të tyre është serioze, duke ironizuar faktin se funksioni i objekteve dështon falë përmasave.

Një lavd ndaj ngadalësisë dhe realizimit të veprave me dorë, kështu e konsideron kuratorja Pisu dizajnin e ri italian. Një ndërveprim harmonik i traditës me inovacionin.