Alketa Xhafa (Mripa) është një artiste konceptuale dhe aktiviste e të drejtave të njeriut e lindur në Kosovë, por që rrethanat e luftës e zhvendosën drejt Britanisë së Madhe, ku ajo sot jeton dhe punon. Alketa përfundoi në Kosovë shkollimin fillor e të mesëm dhe në vitin 1997 u zhvendos në Londër për të studiuar artet e bukura në Central Saint Martins për të vazhduar më tej studimet në Tate Modern.
Që prej asaj kohe Alketa e ka paraqitur punën e saj multidimensionale në shumë ekspozita në Europë, përfshirë Gjermaninë, Anglinë, Italinë, Portugalinë dhe, sigurisht, në vendlindjen e saj Kosovë, si edhe në Shqipëri.
Puna e artistes Xhafa paraqitet në shumë forma, përfshirë atë të filmit, fotografisë, pikturës e instalacionit, duke promovuar pavarësinë dhe çlirimin femëror e duke çuar vëmendjen te sjellja denigruese e shoqërive mbytëse. Punët e saj janë frymëzuar nga nevoja e shoqërisë për ndryshim, të shfaqura enkas në hapësira të hapura e publike, duke refuzuar ekspozimin e tyre në galeri apo muze, për të komunikuar kështu drejtpërdrejt me publikun.
“Edhe Muret Kanë Veshë” është një instalacion multidimensional, i cili shpaloset përmes shfaqjes simultane në disa qytete të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë e Berat. Shtysa e vënies në jetë të kësaj pune është hulumtimi, reflektimi dhe përjetimi i vazhdueshëm i së kaluarës së dhimbshme të vendit tonë prej artistes. Janë pikërisht “muret” ato të cilat do të simbolizojnë humbjen e lirisë dhe vuajtjen në burgje e kampe të diktaturës komuniste të Shqipërisë së viteve 1945-1990. Mure që dëgjojnë gjithçka, por nuk rrëfejnë dot asgjë.
Në këtë vepër arti, tekstet e projektuara në mur si një tablo pikture janë simbolika e shpresës për liri individuale, duke shembur kështu të gjitha barrierat, në shtegtim drejt lirisë dhe mendjes së hapur: “Falja është gjest fisnikërie”,“Duhet të flasim haptas, sepse heshtja është e papranueshme”…
Gjatë punës së saj hulumtuese për krijimin e kësaj vepre artisja ka udhëtuar nëpër Shqipëri duke dokumentuar shumë dëshmi njerëzore, nga ato të personaliteteve të njohura të artit shqiptar deri tek ato të njerëzve më të thjeshtë. Secili prej tyre ka rrëfyer dramën e vet personale e trajtimin çnjerëzor në burgjet e regjimit komunist. Pjesë nga këto biseda artistja i ka projektuar në mure të ndërtesave publike të qyteteve shqiptare, nga perëndimi i datës 8 maj deri në lindjen e diellit të datës 9 maj, si një altoparlant vizual për publikun.