Tirana Art Lab – Qendër për Artin Bashkëkohor, kolektivi i artit “Patriotisme” dhe “Instituti Italian i Kulturës” në Tiranë organizojnë ekspozitën performative #1 me titull “Qendra e integrimit”, e cila ka në përmbajtje të saj: performanca, leksione, bashkëbisedime dhe instalacione, të cilat do të paraqiten përgjatë datave 24-29 korrik 2018 në mjedisin e TAL-it. “Qendra e integrimit” mbledh së bashku artistë, kuratorë dhe teoricienë/studiues shqiptarë dhe të huaj.

...

“Ekspozita performative” është një format i ri i filluar nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, me qëllim zbërthimin e ekspozitës si format dhe bërjes publike të proceseve artistike krijuese e të kurimit përmes performativitetit. Gjithashtu, synon të gjejë mënyra për të përfshirë në procesin e ekspozimit mjetet dhe kushtet e prodhimit artistik, që shkojnë përtej vetë ngjarjes ekspozuese. Koncepti i “Ekspozitës performative” synon gjetjen e mënyrave të reja të ekspozimit dhe kurimit, të cilat thyejnë tiparet e përkohshme/të papërsëritshme të ekspozitës bashkëkohore dhe propozojnë mënyra të qëndrueshme për të punuar së bashku. Ekspozita e parë e kësaj serie do të zhvillohet nën titullin “Qendra e integrimit” dhe synon të pasqyrojë në mënyrë pamore, poetike dhe teorike konceptin e integrimit.

Mbrëmjet në TAL nisin me bashkëbisedimin midis Angelo Careri-it, Adela Demetjas dhe Tancrède Rivière-s, të cilët paraqesin “Qendrën e integrimit”. Kalohet në mbrëmjen vijuese me një leksion nga Romeo Kodra me titull “Misteri i artit shqiptar midis rreshtave”. Ai përqendrohet tek integrimi, duke pasur parasysh emërtimin e veprimtarisë dhe duke iu përmbajtur pikturës me titull “Motra Tone” nga piktori Kolë Idromeno.

Në vazhdim Angelo Careri sjell një leksion me titull “Poetët në grevë”, leksion i cili merr shkas nga një ngjarje e afërt në kohë, një “grevë poetësh”. Careri e përdor ngjarjen si një pikënisje për të rishikuar pozicionin e vet, duke paraqitur një pjesë të emërtuar “Theorie”.

Leksion dhe performancë sjell artisti Raino Isto, duke u përmbajtur te deklaratat e Euronymous-it në lidhje me Shqipërinë si një vend që pati përjetuar diktaturën.

Gabriele Rendina Cattani vjen në TAL me një leksion performativ, “Mbrëmje stentor”, kurse Frederik Stamati me leksionin “Flamujt e disa prej ngjarjeve më kulmore të historisë së Shqipërisë”.

Leksioni i Stamatit përqendrohet te Muzeu Kombëtar dhe veprimtaria e tij, si dhe te përpjekja 20-vjeçare e Stamatit për të identifikuar një tërësi flamujsh dhuruar Muzeut, ndërkohë që sot përmend problematikën e ruajtjes së tyre.

Film, konferencë nga Tancrède Rivière në mbrëmjen vijuese të TAL-it. Filmi “Gërmo!” është një pasqyrim mbi fantazinë lidhur me arkeologjinë, si një fushë shkencore dhe si një praktikë terrenore.

Performancë me titull “Menu Kama Sutra” sjell Lumturi Blloshmi në TAL. Miqtë e artit bisedojnë me autoren në tryezën e TAL-it për veprën “Menu Kama Sutra”.

Ndërhyrja artistike në TAL nga Sokol Peçi mundësohet përmes një videoje me titull “No more class war”, e cila shfaq ecejaket në një ditë shiu të një gjysme njeriu. Pjesa e sipërme e tij rezulton e panevojshme.

Artisti Ergin Zaloshnja vëzhgon zhvillimet e ekspozitës performative #1 “Qendra e integrimit” dhe do të krijojë numrin e ardhshëm të fanzinës “Sputnik” me temën “Qendra e integrimit”.