Festivali i filmit DokuFest në bashkëpunim me Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel, prezantoi këtë vit pesë prej filmave të përzgjedhur nga programi (2021) për publikun e Tiranës, në mjedisin e Liqenit Artificial, mbrëmjen e 28 korrikut. Premiera erdhi fillimisht në Tiranë dhe më pas festivali do të vazhdojë programin e përvitshëm në qytetin historik të Prizrenit, përgjatë datave 6 deri më 14 gusht 2021.
Në projektim u shfaqën filma të kategorisë së metrazhit të shkurtër ku autorët përkatës vinin nga kombësi të ndryshme. Filmat mbajnë titujt: Bushi, Hana Sedoli & Ben Gorani (Kosovë, 2021); More than two hours, Ali Asgari (Iran, 2013); In Between, Samir Karahoda (Kosovë, 2019); Vever (for Barbara), Deborah Stratman (SHBA, 2019); Push This Button If You Begin To Panic, Gabriel Böhmer (MB, 2020).
Bushi – një vajzë e mbetur pa baba, një film që trajton rastet e personave të zhdukur në Kosovë. Një histori për traumat dhe rrëmbimin e një njeriu të pafajshëm nga forcat ushtarake serbe, që e lanë të supozohet i zhdukur deri më sot.
More than two hours – është 3 e mëngjesit. Një djalë dhe një vajzë po enden në qytet. Ata po kërkojnë një spital për ta kuruar vajzën, por është shumë më e vështirë sesa menduan.
In between – vëllezërit dhe djemtë që jetojnë jashtë ndërtojnë shtëpi identike për të shprehur barazinë dhe unitetin në familje. Një portret empatik i familjeve që, nga nevoja ekonomike kanë nevojë të jetojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre të ndarë dhe duke jetuar në kultura jo të tyre.
Vever (for Barbara) – një lidhje ndërgjenerative e tre kineastëve që kërkojnë mundësi alternative për strukturat e pushtetit në të cilat ata janë pjesë e natyrshme. Çdo grua e shtrin arritjen e saj drejt një teme jashtë së cilës është. Vever lindi nga projektet e braktisura të filmit të Maya Deren dhe Barbara Hammer. U filmua në pikën më të largët të një udhëtimi me motor të Hammer-it në Guatemalë në 1975 dhe u shoqërua me reflektimet e Deren-it mbi dështimin, takimin dhe inicimin në Haitin e 1950.
Push this button if you begin to panic – Bartholomew Whisper shkoi te mjeku sot. Atje ai takoi administratorë të etur për kirurgji eksperimentale dhe makina të vetmuara MRI. Të paktën vrima që rritej në kokën e tij po bëhej mjaft e bukur.
DokuFest-i solli për të katërtin vit radhazi një atmosferë gjithëpërfshirëse falë larmishmërisë kinematografike që përcjell tek publiku. Në këtë 20 vjetor të festivalit ndërkombëtar pati një numër prej 3000 aplikimesh nga 60 vende të botës, ku u përzgjodhën vetëm 106 prej tyre, të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese.