Harabel Contemporary Art ftoi artistin Hiwa K më 16 nëntor në sallën “Black Box” (Universiteti i Arteve) për pasqyrimin e veprimtarisë së tij krijuese, si dhe për një bashkëbisedim mes tij dhe të pranishmëve. Artisti përzgjodhi gjatë takimit disa prej punimeve, në të cilat, pashmangshmërisht, ai i përmbahet prejardhjes së tij dhe përvojave të shumta e të mundimshme jetësore.
Një prej punimeve më të rëndësishme është “Pre-Image (Blind as the Mother Tongue)” (“Parapamje (I verbër si gjuha e nënës)”). Ky krijim na çon pas në kohë: Hiwa-K pati ardhur më këmbë në Europë, duke ecur, ndër të tjera, përmes Iranit, Turqisë, Greqisë dhe Italisë, për të gjetur një strehë në Gjermani. Ky udhëtim i gjatë dhe shpesh i rrezikshëm ishte një përvojë në hapësirë dhe kohë, përmes së cilës ai e parapërgatiti veten për të panjohurën përmes përvojës hapësinore dhe kulturore. Ai ndërtoi një objekt-skulpturë me përbërës të paraprodhuar: një shkop dhe pasqyra motoçikletash.
Duke e vënë atë mbi hundë, në drejtpeshim, artisti Hiwa K gjen rrugën e vet duke shikuar në pasqyra të ndryshme. Megjithatë, pasqyra nuk është menduar kryesisht për të pasqyruar, por për të lundruar. Kjo është një formë e mjetit të mbijetesës, pasi ai nuk arrin kurrë në pamjen e plotë të vendit pëmes të cilit është duke ecur; sidoqoftë ky mbarëveprim e ndihmon atë të përfundojë udhëtimin e vet.
Ndërkohë, në katër dhjetëvjeçarët e fundit, shumë njerëz janë larguar si refugjatë nga vendlindja e artistit, Iraku. Në vitin 1991 u krijua një ndarje midis Irakut të Veriut (Kurdistanit), duke u cilësuar zonë e sigurt dhe pjesës tjetër të Irakut. Refugjatët duhet ta vërtetojnë ardhjen nga një zonë e pasigurt, në mënyrë që të përcaktohen si të tillë (refugjatë). “Wiew from above” (“Pamje nga lart”) emërtohet krijimi i cili nxitet prej këtyre përvojave të vështira jetësore të refugjatëve në përpjekje për t’i shpëtuar vdekjes dhe për të pasur një mundësi jetese më të mirë.
Gjatë një interviste për statusin e refugjatit, zyrtari kontrollon për të vërtetuar dëshmitë. Ai pyet për hollësi të vogla të qytetit prej nga vjen refugjati dhe krahason përgjigjet në një hartë. Nëse nuk vërtetohet që largimi bëhet prej një zone të pasigurt, është i sigurt kthimi në vendin e origjinës. Dhe ky vërtetim është i vështirë për njerëzit të cilët jetojnë vërtet në një zonë të rrezikshme.
Një tjetër punim i pasqyruar ishte ai i videos “With Jim White, once upon a time in the west” (“Me Xhim Uajtin, na ishte një herë perëndimi”). Miqësia dhe bashkëpunimi afatgjatë me ish-ushtarin amerikan Jim White bëhet shkak për një performancë 10-minutëshe që riprodhon melodinë e Ennio Morricone-s në skenën përfundimtare midis dyshes “western” të regjisorit Sergio Leone, në filmin “Na ishte një herë perëndimi”. Puna është në vetvete një hetim për rishpërndarjen e përfaqësimeve dhe zotërimeve kulturore.
“Cooking with mama 2005 – ongoing” (“Duke gatuar me mamanë 2015 – në vazhdim”); “Inappropriation” (“Përvetësim”) apo “Country guitar lessons7, 2005-2011” (“Mësimet e kitarës së vendit7 2005-2011”) janë të tjera video të cilat plotësuan disa pjesë të mozaikut jetësor dhe profesional të artistit Hiwa K.