Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL ftoi artistin Anri Sala për të prezantuar për publikun shqiptar dy prej filmave të tij me tituj Le Clash (2010) dhe Tlatelolco Clash (2011), në ambientet e Destil, Tiranë. Pas prezantimit të filmave me metrazh të shkurtër, u bë një bashkëbisedim mes artistit dhe publikut.

...

Le Clash (2010)

Në Le Clash interpretuesit luajnë pjesë nga kënga Should I Stay or Should I Go (Të qëndroj apo të shkoj?) në ambientin jashtë një salle koncertesh të braktisur në Bordo, Francë.

Dy muzikantë shëtisin pranë sallës së koncerteve duke rrotulluar ngadalë dorezën e një organoje e cila lëshon tinguj më anë të letrave të shpuara që janë të vendosura në të.

Në të njëjtën hapësirë shfaqet një burrë që endej duke mbajtur në krah një kuti të bardhë. Teksa afrohej pranë sallës së koncerteve, ai kthen ngadalë një dorezë të vogël e cila është e instaluar në këtë kuti muzike prej të cilës nisin të lëshohen tingujt e këngës në një tjetër version.

Çështja e jehonës afrohet këtu në dy dimensionet e saj: në atë të kohës dhe atë të hapësirës, meqenëse riprodhohet e njëjta muzikë dekada më vonë dhe njëkohësisht duke (ri)sjellë muzikë në muret e këtij vendi të braktisur, ku është performuar dikur.

Tlatelolco Clash (2011)

Në filmin Tlatelolco Clash shfaqen pamje midis rrënojave të sitit arkeologjik      Tlatelolco në qytetin e Meksikës, ku pjesë e saj bëhet një grup njerëzish që mbajnë në duar një fletë muzikore të shpuar që përmban rezultatin e melodisë së lartpërmendur nga The Clash.

Megjithëse fletët janë të koduara me të njëjtën pjesë muzikore, kur vendosen në organon lëvizëse secila prej tyre krijon një melodi të ndryshme duke i dhënë kështu një ritëm tjetër këngës.

Në përfundim fletët e koduara vendosen në një linjë me njëra-tjetrën të cilat duke u bashkuar formojnë tingujt e saktë të kësaj melodie muzikore.

Anri Sala ndërton këtë film duke eksploruar mbi përmbajtjen e kujtesës historike dhe kontekstit të hapësirës fizike. Ai beson se mjedisi dhe arkitektura kanë një rol të rëndësishëm për performancën e tingullit në veprat e tij.

Ky event u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Anri Sala ka lindur në Tiranë, Shqipëri në vitin 1974. Ai studioi pikturë në Akademinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, video në Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs në Paris dhe regji filmi në Le Fresnoy – Studio National des Arts Contemporains – në Tourcoing, Francë. Në 2001 ai mori çmimin e Artistit të Ri në Bienalen e 49-të të Venecias. Punimet e tij janë ekspozuar gjerësisht në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Anri Sala ka pasur ekspozita solo në Musée d’art contemporain, Montreal, Kanada (2011); Muzeu i Artit Bashkëkohor në North Miami (2008) dhe ARC Musée d ‘art moderne de la ville de Paris (2004), si dhe shfaqjen e punës në ekspozita të shumta në grup ndërkombëtar, përfshirë: Bienalen e Venecias (2001, 2003 dhe 1999), Triennale Yokohama (2001) dhe Manifesta 3, Ljubljana (2000). Anri Sala gjithashtu është fitues i çmimeve: Vincent (2014); Çmimin Mario Merz (2014); Çmimin e 10 -të Benesse (2013); Çmimin Absolut të Artit (2011).

Duke vënë në dukje ngadalësinë, qetësinë dhe detajet intime, Sala eksploron në kufirin midis dokumentarit dhe trillimit. Veprat e tij artistike zbulojnë një nën-rrymë tensioni që flet për realitetet politike dhe shoqërore, duke artikuluar mbi humbjen dhe tjetërsimin nëpërmjet specifikimit të një vendi dhe konteksti kulturor që duket i rrënjosur në kujtesë dhe histori.