Arti dhe Institucionet e Pavarura të Kulturës gjatë Pandemisë së Covid-19 Shtatë përfaqësues të Institucioneve të Pavarura të Kulturës në Shqipëri u takuan virtualisht me ftesën dhe organizimin e Alban Nimanit, Drejtues i “Tulla Culture Center”. Ata diskutuan mbi pozicionin e institucioneve që administrojnë dhe opsionet që kanë për të ecur përpara: A do të ekzistojnë institucionet kulturore pas rihapjes? Duke e luftuar mbylljen për shkak të pandemisë dhe humbjet e mëdha në të ardhura, galeritë dhe operatorët kulturorë i janë përshtatur rrethanave dhe protokolleve të reja, duke sjellë ekspozita inovatore online, programe nëpër platforma online dhe reduktime drastike të pjesëmarrësve.

...

Këto forma të reja si online/streaming, a janë të përkohshme apo mënyra e re e komunikimit e së ardhmes?

A janë këto forma alternative një formë stimulimi për ta mbajtur gjallë artin vizual dhe kulturën apo janë duke i shkatëruar ato?

Cili është çmimi i mbajtjes mbyllur të institucioneve?

Cili është drejtimi që duhet të marrin galeritë, fondacionet dhe artistët gjatë dhe pas pandemisë?

A mund të përdoret kjo pandemi si katalist kreativ?

Cilat janë problemet kryesore me të cilat janë duke luftuar për të mbijetuar artistët dhe institucionet e pavaruara kulturore në Shqipëri?

Pandemia e Covid-19 nxorri në pah nevojën për modifikimin e marrëdhënies artist – institucione publike, pasi rikonceptoi mënyrën se si jetojmë dhe krijojmë. Mbarëbotërisht u mbyllën institucione kulturore, shprehet Alban Nimani, sepse pandemia solli pengesa të ndjeshme si për institucionet kulturore, ashtu edhe për artistët. Arti dhe mënyra e publikimit të shprehive artistike u gjendën para nevojës për t’u përshtatur me protokollet e sigurisë, ose të mbeten në heshtje.

Ema Andrea, aktore dhe themeluese e “MAM Foundation” çeli diskutimin duke evidentuar pozicionin specifik të teatrit dhe rëndësinë e nismave që duhet të pasojnë dialogun mes artistëve, duke shfaqur mosbesimin se nevojat e artistëve nuk do të adresohen siç duhet. Duke sjellë shembuj nga eksperienca e saj, Ema Andrea u shpreh se teatri, si skenë e gjallë, nuk i mbijetoi pandemisë. Ai u zhduk, pasi duke u transferuar në video nuk quhet më teatër, por film apo diçka tjetër, në mungesë të komunikimit që ndodh me publikun kur aktori performon përballë tij.

“Nxjerrja e teatrit në rrugë ishte një formë mbijetese, megjithatë nuk është e suksesshme apo e përjetshme.”

Çka pandemia rikujtoi është pozicioni delikat i artistëve të pavarur. Këta janë artistë që punojnë në bazë projektesh, të mbështetur kryesisht nga oganizma ndërkombëtarë dhe pak institucione shtetërore. Artistët që nuk janë pjesë e një strukture të paguar, sipas Ema Andreas, nuk ekzistojnë, duke adresuar vakuumin ligjor e strukturor ku operojnë këta artistë. Ka një mundësi, sipas saj, që në Shqipëri problemi të burojë nga vetë artistët dhe mënyra si e konceptojnë rolin e tyre, marrëdhënien me shoqërinë dhe institucionet. Nuk kanë mundur të krijojnë një sistem brenda të cilit mund të funksionojnë, pasi nuk kanë vizion dritëgjatë dhe diskutimet e tyre nuk deduktohen në veprime konkrete.

Sipas Ema Andreas, artistët duhet të bien dakord mbi parimet e organizimit dhe funksionimit të tyre. Shprehja “u përpëlitën”, që ajo përdor për të treguar vështirësitë e artistëve gjatë pandemisë, i ka themelet në burime më të hershme. Të tilla janë kuadri rregullator i munguar dhe pafuqia e artistëve për t’u organizuar e për të komunikuar me politikëbërësit. Nëpërmjet dy pyetjeve, Andrea dëshmon thellësinë e shqetësimit dhe ideon diskutimet e ardhshme: Së pari, artistët e sapodiplomuar, çfarë çojnë në shtëpi në mbrëmje? Së dyti, si mund të bëhet arti i shitshëm, në një shoqëri që nuk e ka gati audiencën?

“Parimet artistike cënohen nga varfëria dhe nga mungesa e edukimit artistik të publikut.”

Elian Stefa, arkitekt dhe themelues i hapësirës “Galeria e Bregdetit” në Vlorë, e konsideron nivelin e skenës artistike shqiptare si “embrional“. Më këtë nënkupton se arti shqiptar është ushqyer mjaftueshëm sa të mbijetojë, por jo të rritet. Ai e theksoi nevojën për rritje dhe për t’iu drejtuar formalisht institucioneve shtetërore për mbështetje, nën një strategji afatgjatë.

Galeristët humbën vizitorët përgjatë muajve të pandemisë. Këtu përjashtohet të qenit aktiv në një profil rrjeti social, çka nuk promovon artin, nuk bën lidhjen mes tij dhe publikut, nuk përfshin guidën nga kuratori ose një udhërrëfyes dhe nuk mundëson blerjen, çka i dëmtoi galeritë në mënyrë të rëndë.

Megjithatë, ka edhe hapësira kulturore që iu përshtatën pandemisë prej natyrës së tyre. Zef Paci, profesor i Historisë së Artit dhe përfaqësues i ArtHouse në Shkodër, tregoi se si situata solli devijimin e këtij enti artistik prej strukturës së mëparshme. ArtHouse ka qenë strukturë periferike, jo qendrore. Paçka se dikur mbështetej prej Ministrisë së Kulturës, thotë Zef Paci, tashmë qëndron e pavarur dhe e vendosur në synimin afatgjatë për të ofruar punëtorí, një festival filmi (Ekrani i Artit) dhe një shkollë verore.

“Edukimi alternativ është i rëndësishëm pasi kurrikulat e universiteteve rishikohen një herë në katër vjet, ndërsa hapësirat alternative përditësohen shpesh e si pasojë, janë më të freskëta.”

Zef Paci përsëriti rëndësinë e marrëdhënies së artit me organizmat shtetërorë dhe tejçimit të kërkesave ndaj Ministrisë së Kulturës, të cilat duhet të aplikohen me dinjitet dhe barazi, para se të ndalej tek mënyra se si ArtHouse iu përshtat kushteve të reja. Shkolla verore u shpërbë dhe festivali i filmit u gjend pa pjesëmarrës. Pak ekspozita u krijuan duke pranuar një numër të ulët vizitorësh. Megjithatë, u pa një zgjidhje tek përkthimi i një grupi autorësh, të cilët kishin të bënin me temat e shkollave verore, që ushqenin diskutime mes artistëve e artdashësve. Në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal nga BE u krijua ArtHouse Channel në YouTube, ku u publikuan intervista nga artistë bashkëkohorë, shqiptarë e të huaj. Duke forcuar prezencën në internet, ArtHouse mbajti gjallë aktivitetin e tij dhe komunikimin me publikun.

Artisti vizual Driant Zeneli dëshmoi se si HARABEL Contemporary, një platformë e bashkëthemeluar nga ai dhe e dedikuar ndaj promovimit e arkivimit të artit bashkëkohor shqiptar, vijoi të ofrojë online “Thoughts”, një projekt kreativ, ku personalitete të botës së artit dhe kulturës bashkëkohore ndajnë mendimet e tyre mbi jetën dhe veprimtarinë artistike. Ashtu si ArtHouse, HARABEL Contemporary zgjodhi të rimendojë komunikimin me publikun. Kështu lindi Enciklopedia e Fjalëve të Përditshme, një nismë që hedh dritë mbi etimologjinë e fjalëve duke lidhur imazhin e një artisti me një fjalë, që shpjegohet më tej. Gjithashtu, Harabel Creative Atelier u krijua si një shkollë për fëmijë ku ata punojnë me imagjinatën, vizatimet dhe gjuhën e trupit. Së fundmi, ndërhyrja në hapësirën urbane publike fillon me veprën ‘’Bukurshkrimi’’ të Adrian Pacit, tashmë e pozicionuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Driant Zeneli theksoi rëndësinë praktike të organizimit ligjor të artistëve, nëpërmjet këshillimit me njohësit e ligjit. Si një ent ligjor, nevojat e artistëve para Ministrisë së Kulturës do të formalizoheshin dhe do të sillnin detyrimin për përgjigje publike. Vendet e rajonit sjellin shembuj ndërveprimi të mirë, si tarifa që artistët e pavarur morën në Kosovë. Sidomos muzikantët, u shpreh Driant Zeneli, u përdorën për të argëtuar publikun gjatë pandemisë, por pronësia intelektuale e tyre nuk u administrua mirë. Digjitalizimi është mjeti kryesor i shpërndarjes së veprave kulturore, megjithatë kur është i parregulluar ligjërisht, ai lë hapësirë për keqpërdorim.

“Artistët duhet të mbërrijnë në mbrojtje ligjore dhe stabilitet ekonomik nëpërmjet ndihmës së njohësve të ligjit.”

Në të kundërt, artistët e rinj ose ata që nuk kanë pasur mundësi të shfaqen në media e si pasojë,  të njihen nga publiku, nuk ia dalin dot pa pasur një status ligjor dhe mbeten në vështirësi për të mbijetuar financiarisht me pasionin e tyre.

Teksa flitet për rrezikun e cedimit të disa nismave kulturore, të tjera marrin jetë si një shtysë për të krijuar dhe për të rritur entuziazmin krijues. E tillë është ‘’Bulevard Art & Media Institute’’, një hapësirë brenda DeStil-it, e konceptuar nga Donika ÇinaSonila Abdalli dhe Valentina Bonizzi. Bulevardi do të jetë një vend për krijuesit, i pajisur me eksperiencën e shkuar të DeStil në një hapësirë të re. Themelueset u treguan optimiste mbi rolin e tij në krijimin e një komuniteti në ndihmë të artistëve e publikut.

Artistët e pavarur mendojnë se që të mbeten gjallë, ligji ka nevojë të rregullojë pozicionin dhe karrierën e tyre. Çka do të sillte fryte të mirëfillta do të ishte një strategji e dedikuar për kulturën në Shqipëri, për rimëkëmbjen dhe revolucionarizimin e saj. Reagimi i artistëve ka nevojë të jetë kolektiv, i pjekur dhe direkt, i pasuruar me konsulencë ligjore dhe edukim mbi rregullimet normative. Sipërmarrjet e njohin sistemin ku operojnë, normat ligjore të cilave u nënshtrohen për të përmbushur rolin e tyre dhe përfitimin financiar. Pyetja mbetet: në ç’sistem operojnë artistët?