Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL zhvilloi në ambientet e saj një bashkëbisedim me kuratorin Edi Muka, në kuadër të Projektit Manifesta 14 për Ballkanin Perëndimor të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian. Veprimtaria u zhvillua në datën 2 shkurt 2022.
Në bashkëbisedimin e tij Edi Muka u përqendrua tek Agjencia e Artit në Hapësirën Publike, Suedi, një institucion qendror i mbështetur nga Ministria e Kulturës së vendit që hulumton dhe ndërvepron mes artit bashkëkohor dhe hapësirës publike. Ky institucion i rallë dhe jo shumë i përhapur në botë, përqendrohet në një sërë veprimtarish që përfshijnë të gjitha format e artit bashkëkohor që manifestohen në hapësirën publike. Motoja e tyre ngrihet mbi besimin që arti ka një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri dhe duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë.
Agjencia e Artit në Hapësirën Publike është themeluar në vitin 1937, në një kohë kur modeli suedez i mirëqenies ishte në zhvillim dhe rritje të shpejtë, ndërsa sot gjendet në një fazë të re ndryshimi ku përqendrohet tek roli i artistit në shoqëri dhe tek publiku. Detyra e këtij institucioni është ta kthejë në një element të natyrshëm veprën e artit dhe ta bëjë atë të rëndësishme në mjedisin shoqëror duke u dhënë mundësi të shumta artistëve përmes porosive dhe blerjes së artit cilësor. Në koleksionin Agjencisë gjenden mbi 100.000 vepra arti, ndërsa gjatë një viti normal ata blejnë nga 150 deri në 200 vepra arti. Synimi i tyre ka në fokus mbështetjen e artistëve në mënyrë që veprat e tyre të reflektojnë mbi tematikat e ndryshme të artit në kohën e sotme.
Muka u ndal edhe te pikat e niveleve që kanë të bëjnë me projektet të cilat janë të renditura duke filluar nga: niveli më i lartë, që ka të bëjë me përzgjedhjen e projekteve brenda dhe përreth ndërtesave, duke vijuar me nivelin tjetër që ka të bëjë me projektet e proceseve të zhvillimit urban për të cilin Agjencia është përgjegjëse për hapësirën publike në këto projekte. Gjithashtu pjesë e saj janë dhe projektet e përkohshme të cilat funksionojnë përmes performancave, ndërhyrjeve artistike ose instalacioneve dhe ekspozitave në hapësirën publike. Agjencia e Artit në Hapësirën Publike gjithashtu merret me krijimin dhe kurimin e vazhdueshëm të koleksionit të artit dhe këshillimin mbi mirëmbajtjen dhe trashëgiminë e tij në hapësirën publike.
Këto pika, kuratori i ilustroi me imazhe projektet e realizuara për hapësirën publike. Duke përmendur disa prej veprave: Katherina Grosse Blue Orange Vara, 2012; Lea Porsager Gravitational Riplles (Valëzime gravitacionale) Azia Juglindore, 2004; Sandi Hilal Art Happens Prastholmen, Boden. Ndër to, Muka prezantoi edhe disa projekte të përkohshme: Malin Arnell dhe Asa Elzen Forest Calling (Thirrja e pyllit); Jonas Staal Interplanetary Species Society (Shoqëria e Specieve Ndërplanetare) projekt i kuruar nga Edi Muka. Kuratori shpjegoi gjithashtu të gjithë procesin në raport me artistin, veprën e tij dhe më pas me hapësiren e vendosjes së saj në ambiente publike.
Në përfundim u krijua një bashkëbisedim me të pranishmit ku interesi i tyre përqendrohej rreth: mirëmbajtjes së veprave publike, rolit të institucionit në raport me publikun, komunikimin që ngrihet në raport me ta, gjithashtu dhe se sa ndikon Agjencia në veprën publike.
*Edi Muka (lindur në 1969) është një kurator dhe kritik shqiptar me bazë në Suedi. Ai njihet për prezantimin për herë të parë të praktikave kuratoriale në Shqipëri dhe ndihmesën në skenën e artit dhe kulturës bashkëkohore shqiptare. Gjatë viteve Muka ka drejtuar dhe punuar në shumë institucione, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai ka qenë pedagog i jashtëm pranë AAB; drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës; kurator i GKA; bashkëthemelues e drejtor i Bienales së Tiranës dhe Institutit të Artit Bashkëkohor Tiranë; kurator i Qendrës së Artit (Röda Sten, Goteborg); drejtor artistik i Bienales së Goteborgut, etj. Muka ka kuruar një numër të madh ekspozitash e projektesh, ndër të tjera: Pavionin e Parë Shqiptar në Bienalen e Venecias; Bienalen e Goteborgut dhe Quadrienalen e Medellinit. Që prej vitit 2014 Muka është kurator pranë Agjencisë së Artit në Hapësirën Publike, Stockholm, Suedi. Puna e tij ka shtrirje ndërkombëtare dhe bazohet në bashkëpunim të ngushtë me artistët.