Platforma Harabel zhvillon mbrëmjen e 27 shtatorit në mjedisin e vet një bashkëbisedim të udhëhequr nga arkitektja urbaniste Eliza Hoxha me temë “Qyteti është kudo”.

...

Fillimisht, arkitektja Hoxha përqendrohet në pikënisjen e projektit, e cila s’është tjetër përpos se ajo çka kanë përjetuar qytetarët shqiptarë në Kosovë përgjatë kohës së luftës; kurse pikëmbërritja e këtij projekti është hapësira vënë në dispozicion për Kosovën në bienalen e arkitekturës në Venecia për vitin 2018.

Vetë projekti është në thelb rikthimi në kujtesë, tashmë në formë artistike, i një kohe të mundimshme përgjatë së cilës vetë banorët e Prishtinës u ndien të përjashtuar nga sfera publike dhe krijuan një qytet brenda një qyteti. Hapësirat e banimit (në rrethina) u shndërruan në institucione (shkolla, universitete, spitale etj.)

Lidhur me këtë të vërtetë ka pak dokumentime, sepse njerëzit ishin dhe janë të përqendruar vetëm kah e ardhmja, shprehet Eliza. Pikërisht kjo lë jashtë vëmendjes një kthesë të rëndësishme që mori shoqëria shqiptare e Kosovës me përpjekje jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për t’u zhvilluar, duke kapërcyer kufijtë e mbijetesës.

Vetë Eliza Hoxha është dëshmitare e kohës prej së cilës zë fill projekti “Qyteti është kudo”. Në këtë takim, jo rastësisht, ajo i përmbahet rrugëtimit të saj jetësor dhe profesional. Në këtë rrugëtim zë vend edhe përkushtimi i saj si fotografe; me shkrepje të cilat paraqesin jo vetëm protesta masive, por edhe çaste pikante të cilat flasin me nëntekst për realitetin e atëhershëm; nuk mungojnë po ashtu pasqyrimet e çasteve thjesht njerëzore.

Një hapësirë e fortë ndikuese në mënyrë të ndërsjellë, nga banorët, por edhe nga mësymësit, ishin muret, cilësuar nga Eliza “Muret që flasin”. Me mjaft rëndësi për t’u përmendur është një tjetër dëshmi: shmangia e artit akademik dhe zëvendësimi i tij me ardhjen e artistëve rebelë ndaj realitetit.

Mjediset e kafeneve, shton Eliza Hoxha, u shndërruan në institucione politike, diplomatike dhe artistike. Shumë takime e biseda, ekspozita gjithashtu, zhvilloheshin në këto mjedise. Elementi “satelit”, aq shumë i përhapur në Kosovën e atyre viteve, ishte tipar tregues i nevojës për të ditur e për të thënë; për të ruajtur lidhjen me mbarë botën.

“Shtëpia u bë qytet dhe qyteti një familje e madhe” thotë shprehimisht Eliza. Dhe kjo është aq e rëndësishme për shoqërinë, sa është krejt e domosdoshme të krijohet muzeu i viteve ’90; si dhe të vendosen pllakata njohëse për çdo ndërtesë e cila ka shërbyer në një mënyrë a një tjetër në mbrojtjen e së ardhmes.

Instalacioni artistik krijuar përmes satelitëve, tapeti krijuar me hartën e Prishtinës (në të cilën spikatin pikat zhvillimore të qytetit në kohën e luftës), janë disa nga elementet e përdorura në pavijonin e Kosovës në bienalen e Venecias. Kjo platformë është e vlefshme për këdo që njeh historinë e shqiptarëve të Kosovës, por arkitektja nuk përjashton mundësinë e leximit individual për cilindo vizitor tjetër.

Arkitektja Eliza Hoxha pohon në përmbyllje se Prishtina nuk u shkatërrua gjatë luftës, porse nuk i shpëtoi njëfarë shkatërrimi në pasluftë, për shkak të platformave për zhvillim, të cilat nuk morën jetë në mënyrën e duhur.