Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel ftoi artistin Enkelejd Zonja për bashkëbisedimin e radhës, më 31 janar 2020. Enkelejd Zonja foli për rrugëtimin e tij artistik, duke përmendur njerëz dhe ngjarje të cilët/të cilat kanë lënë gjurmë përgjatë rrugëtimit të tij jetësor dhe profesional. Ndërfutja e vetvetes, por edhe e familjarëve të vet, si pjesë përbërëse në disa vepra, e bëjnë krijimin e tij më të vërtetë, më të afërt, më të prekshëm, duke e kthyer në urë lidhëse mes kohësh të ndryshme politiko-shoqërore, përshkuar e gjithë kjo herë pas here edhe nga tipari parodik, i pranishëm në krijimtarinë e Zonjës, si një lloj nevoje e brendshme dhe e natyrshme. Vepra e tij përngjet si urë lidhëse jo vetëm midis së kaluarës dhe së tashmes, por edhe midis rrymave artistike që ndërthuren organikisht brenda saj.
Ai e përcakton zanafillën krijuese si një lloj aksidenti. Për të, pa dashur, një shtysë e vetme, e pavetëdijshme, bëhet shkak për fillimin e një vepre. Ky ngacmim mund të jetë një vijë, një send, një njeri, një kafshë, një ngjyrë etj., e cila mund të bëjë qëndresë gjatë ecurisë së pikturimit ose të humbasë, sepse fillimi dhe fundi i një vepre, sipas tij, përbëjnë një enigmë.
Ndër ngacmimet dhe ndikimet kinematografike ndaj Enkelejd Zonjës, regjisorët Hiçkok (Alfred Hitchcock) dhe Tarkovski (Andrei Tarkovsky) zënë vend parësor. I pari i cilësuar si “babai i tensionit”, i dyti, i dalluar mes të tjerash për pamjet e ëndërrta, për lidhjen me natyrën dhe kujtesën, tipare këto të cilat zënë vend edhe në krijimtarinë e Enkelejd Zonjës.
Udhëkryqet nëpër të cilat vihet dhe kthesat nëpër të cilat i duhet të kalojë një artist, janë kaq të dukshme në krijimtarinë e artistit në fjalë. Është kaq e dukshme në kompozimin e tij që çdo element vepron si një fjalë sekrete; njëkohësisht, i krijon mundësinë shikuesit që të bashkojë copëzat për formimin e një “figure” të plotë. Një “figure”, një historie që pret të zgjidhet prej dikujt, “figurë”, e cila ngelet e paplotësuar edhe për vetë autorin, i cili nuk synon assesi zgjidhjen përfundimtare të saj, pasi zgjidhja mund ta shformojë veprën ose mund t’i kushtëzohet shikuesit.
Është e pranishme gati kudo, në çdo tablo, skena e krimit. Dhuna deri në përgjakje është aty, dhe vjen e na përplaset nëpërmjet frymës surealiste. Veçse, krimi për të cilin “flet” Enkelejd Zonja nuk është thjesht individual, por pasqyrim i një tërësie shkaqesh dhe parashikim i një sërë pasojash në rrafshin shoqëror. Humori i zi dhe sarkazma zënë vend natyrshëm në tërë këtë.
Marrëdhënia e autorit me veprën është në ecuri të vazhdueshme, madje edhe kur ajo shembëllen e përmbyllur. Alegoria e përdorur përbën tiparin kryesor në veprën e tij, duke krijuar shumështresim kohor dhe kuptimor në ndihmë të të cilit mund të vijë edhe paqartësia teknike, e cila nga dikush mund të lexohet si gabim, nga dikush tjetër si hapësirë për të vënë në lojë imagjinatën. Në fund, për artistin, mozaiku artistik mbi realitetin shqiptar ngelet i njëjti. Të ndryshueshme janë vetëm përgjigjet.
* Enkelejd Zonja ka lindur më 1979 në Fier dhe jeton e punon në Tiranë (Shqipëri). Ka kryer studime të larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (2005-2008) dhe në Universitetin Mbretëror të Arteve të Bukura në Stokholm (Suedi), (2008-2009). Ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash të përbashkëta, si: 1207 Km East, Mucem Museum, Marsejë, Francë (2016); “Post Albanian Artists”, muzeu “Pino Pascali”, Itali (2014); “Visit in the Wound”, galeria Zeta, Tiranë, Shqipëri 2015; “Suden” KunstHalle, Berlin, Gjermani (2013); “Nord Art Event”, Budelsdorf, Gjermani (2012); “Iron Applause”, Galeria Kombëtare e Sllovakisë, Bratislavë (2011); “A History Out of The Contect”, The Promenade Gallery, Vlorë, Shqipëri (2011); Academy Graz Gallery, Grac, Austri (2010); “Onufri”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri (2010); Albania “Rewind/Play/Forward”, galeria Zeta, Tiranë, Shqipëri (2010); “Colours of the Frontiers”, Norman Castle, Brindizi, Itali (2009); Mejan Gallery, Stokholm, Suedi (2009); “Südlicht” 18M Gallery, Berlin, Gjermani (2009). Enkelejd Zonja është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin “Ideja më e re”, zhvilluar nga Banka Botërore në Shqipëri (2007), si dhe me çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar “Onufri” në Tiranë, Shqipëri (2009). Ka fituar tre muaj qëndrim nga Instituti i Tiranës për Artin Bashkëkohor (TICA), (2010). Është finalist i çmimit “Ardhje” 2009-2010 dhe fitues i çmimit “Villa Romana” në Firence (2012). Ka marrë gjithashtu çmimin e parë në konkursin “LiveArt” (2013). Televizioni “ARTE” i ka kushtuar një dokumentar të veçantë, “Pamjet e një diktature”/“Les images d’une dictature” (Gjermani/Francë), (2014).