Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel nisi sezonin e ri me një bashkëbisedim drejtuar nga Francesco Tenaglia, kryeredaktor i revistës “Mousse” dhe redaktor artistik i revistës “Esquire Italia”. Veprimtaria në fjalë u zhvillua në mjedisin e Platformës Harabel më 23 tetor 2019, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës.

...

Francesco Tenaglia u përqendrua kryesisht te pasqyrimi i veprimtarisë së revistës “Mousse”, revistë kushtuar artit bashkëkohor, me vendndodhje në Milano. Ajo është krijuar me synimin për t’i dhënë çdo veprimtarie të pasqyruar në shtyp vlerësimin, përkujdesjen dhe mëvetësinë e duhur. Që prej vitit 2017 shtypet në gjuhën angleze, është e përtremuajshme dhe së bashku me revista të tjera si: “Nero”, “Cura” dhe “Kaleidoscope” përbëjnë sipërmarrjet botuese italiane më të rëndësishme lidhur me artin bashkëkohor.

Revista “Mousse” lindi në vitin 2006 nën drejtimin e Alessio Ascari-t dhe Edoardo Bonaspetti-t, duke pasur si qëllim themelor krijimin e një reviste që do të kapërcente kufijtë e kushtëzuar nga qarqet klasike institucionale, si dhe për të mbërritur edhe te lexuesi që nuk është i lidhur drejtpërdrejt me artin bashkëkohor. Revista, e cila u shpërnda në hapësira institucionale si: muze, fondacione dhe galeri private artesh, shumë shpejt mbuloi të gjithë territorin kombëtar, si dhe nisi të ketë edhe shtrirje ndërkombëtare që prej botimit të 15-të (2008). Revista boton intervista dhe ese nga emra të rëndësishëm kuratorësh dhe kritikësh të artit ndërkombëtar bashkëkohor.

E shpërndarë në 35 000 copë, revista “Mousse” është e pranishme në Itali në më shumë se 400 pika (galeri, muze, fondacione, librari etj.). Ajo shpërndahet edhe në: Australi, Austri, Belgjikë, Kanada, Francë, Gjermani, Japoni, Vendet e Ulëta, Zelandë e Re, Norvegji, Poloni, Portugali, Singapor, Spanjë, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA.

Në vitin 2008 lindi botimi “Mousse”, një shtëpi botuese e specializuar në fushën e artit bashkëkohor dhe në vitin 2009 “Mousse” krijoi gjithashtu një agjenci komunikimi pamor dhe dixhital. Që prej vitit 2015, “Mousse” është kujdesur për mbarëveprimin e “miart”-it, panairit ndërkombëtar të artit modern dhe bashkëkohor në Milano.

Botimet “Mousse” përfshijnë artistë, shkrimtarë, institucione publike dhe private, galeri dhe nisma të tjera artistike e kulturore. Përqendrimi i tyre (botimeve) janë monografitë dhe librat e artistëve, të parakuptuar dhe krijuar në bashkërendim me artistin.

* Francesco Tenaglia ka lindur në Kieti (Chieti) dhe jeton e punon në Milano (Itali). Është kryeredaktor i revistës “Mousse” dhe redaktor artistik i revistës “Esquire Italia”. Ai shkruan gjithashtu për “Rolling Stone”, “Pagina99”, “Esquire” dhe “Rivista Letteraria”.