Kurimi i një vepre a veprimtarie është diçka tërësisht personale, është gjithashtu një shkëmbim përvojash e ndjesish, është më së shumti një eksperimentim i përhershëm, thotë Gabi Scardi (Gabi Skardi), kuratore, kritike arti dhe shkrimtare, e cila, e ftuar në mjedisin e platformës Harabel, zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me publikun, më 18 dhjetor 2018, në Tiranë.
Gabi Scardi e nis fjalën e saj me paraqitjen e artistes Maria Lai, e cila përmendet për instalacionet me përmasa mjedisore. Një ndjenjë e thellë etike e nxiste atë për të kryer punë sistematike për fëmijët dhe të rinjtë. Një lidhje e pazgjidhshme me tokën, banorët e saj, historitë dhe mitet e saj e çuan atë në kryerjen e disa prej ndërhyrjeve më të forta publike të kryera në Itali. “Legarsi alla montagna”, për shembull, është realizuar nga Maria Lai më 8 shtator 1981 në Ulassai, në Sardenjë.
Një tjetër autor mbi veprën e të cilit ka punuar Gabi Scardi është Alberto Burri, përkatësisht me vepra “Teatro continuo”, vepër e cila, si fillim, është krijuar dhe vendosur në parkun “Sempione” me rastin e Trienales XV të Milanos në vitin 1973. Ai (teatri) përbëhej nga një platformë e ngritur dhe gjashtë krahë anësorë të pikturuar me të bardhë në një faqe, me të zezë në anën tjetër. Puna u paraqit si një makinë skenike gjithmonë gati për përdorim të lirë, në zemër të Milanos, si për veprimtaritë dhe shfaqjet artistike, si për përdorim të pavarur nga secili. Kohë më vonë, në vitin 2015, Gabi Scardi është ajo e cila mori përsipër kujdesin shkencor të projektit të ripërtëritjes së kësaj vepre në bashkëpunim me studion ligjore NCTM.
Pjesë e ligjërimit të kuratores Scardi ishte edhe vepra e artistit Alberto Garutti, i cili ka ndërmarrë kryerjen e punimeve publike të përhershme që janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie dhe lidhje midis institucioneve publike e private dhe pëlhurës shoqërore të qytetit. Veçanërisht me vlerë për t’u shënuar është puna që ai ka bërë për qytetet Bergamo dhe Bolzano (në bashkëpunim me Museion) etj.
Lidhur me përvojën e saj Gabi Scardi përmendi edhe bashkëpunimin si kuratore në projektin “Ushqimi që bashkon, ushqimi që ndan” (“Cibo che unisce, cibo che divide”), veprimtari e cila ndërthur ushqimin, artin dhe antropologjinë dhe që e pati nxitjen nga një punëtorì në një shkollë fillore në një nga qarqet e Milanos. Duke punuar për tri ditë me fëmijë, artistë dhe antropologë, qëllimi ishte që ushqimi të shihej nga pikëpamje të pazakonta, duke prodhuar gjendje ku vëmendja përqendrohej te tingujt, gjestet, buzëqeshjet, dialogjet, idetë etj. Gabi Scardi ka bashkëpunuar edhe me shumë artistë pamorë shqiptarë.