Më 14 nëntor 2019, Gazmend Leka – artist me përvojë të gjatë si për sa i përket krijimtarisë artistike, si për sa i përket pedagogjisë në fushën e pikturës – zhvilloi bashkëbisedimin me temë “Një rrëfim apokrif” në mjedisin e Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel. Në takimin në fjalë, artisti mori përsipër një vetërrëfim dhe përfshirjen në bashkëbisedim me të pranishmit rreth përvojës së tij jetësore dhe profesionale, duke zgjedhur të jetë më shumë sesa profesionisti, njeriu, si krijesë dhe krijues (biologjikisht dhe artistikisht), duke rrëfyer dritëhijet e një krijuesi në Tokë.
Gazmend Leka e ka tashmë një shprehje të përhershme, e cila e përfaqëson pothuajse në çdo hap të tijin artistik: “Gjithmonë e kam konsideruar pikturën si një lutje të gjatë, që fillon çdo ditë me lindjen e diellit. Ky rit, më ka shoqëruar në udhëtimin tim, për të zbuluar e për të gjetur gjuhën e vjetër, gjuhën e humbur, që e dija dikur, përpara RËNIES, kur i flisja gurit, pemës, frytit, gjarprit. Kjo lutje bëhet nga dita në ditë, më e thellë, më e brendshme dhe më lejon t’u flas lirshëm gjërave, që tashmë kanë vdekur. Të thënat e tyre, bëjnë krijimet e mia njëra pas tjetrës”.
Zbërthimi i vetvetes para të pranishmëve, të njohur a të panjohur qofshin, kërkon guxim, por është njëherazi edhe detyrim intelektual dhe përvoja e shumëkujt vlen si një copëz mozaiku në njohjen e veprimtarisë njerëzore. Pikërisht lidhur me njohjen nisi ligjërimi i Gazmend Lekës, i cili pohon se të dish të zgjedhësh në një kohë kur njohuritë rrjedhin nga shumë burime, përbën vështirësi, por po ashtu vështirësi përbën vlerësimi i paanshëm i burimeve, duke mos u ndikuar nga kufizimet politike, në kohën kur burimet janë të pakta.
Sipas Gazmend Lekës, shpirti njerëzor është qymyr që shndërrohet në diamant falë artit dhe arti nis me mitologjinë, e cila në thelb është e vërtetë. Dikur, diku, kanë ndodhur ato që rrëfehen në rrëfenja, në mite. Për sa i përket mitologjisë shqiptare, ajo përputhet në të dhënat dhe në frymën që përcjell me mitologjinë botërore. Pra, hershëm, përvoja e njerëzve në vendndodhje të ndryshme gjeografike dhe me fije të dobëta e të ngadalta lidhëse – përkundër mundësive të sotme falë shkencës dhe teknologjisë – del se ka qenë pothuaj e njëjtë.Kështu që rimarrja e mitologjisë shqiptare, si dhe shqyrtimi dhe ilustrimi piktorik i saj, përveçse pati qenë një përpjekje për t’i shpëtuar ideologjisë së kohës (gjatë diktaturës në Shqipëri), i ka shërbyer artistit në fjalë si njëfarë udhëtimi në kohë, një udhëtim i mistershëm. Udhëtimet, nga ana e tyre, janë përherë forma njohëse. E në këtë pikë, Gazmend Leka risjell shembullin e Odisesë së Homerit, me ikjen, kthimin, braktisjet, humbjet përgjatë udhëtimit të tij jetësor, që është në fund të fundit, pak a shumë, trajektorja e vetë artistit në fjalë, por edhe e çdo njeriu.
Gazmend Leka pohon se dëshira për rrëfim lind nga pamundësia e njeriut për të mbajtur peshën e sekretit. Vetë piktura është një lloj rrëfimi, ndonëse një rrëfim jo krejt i zbërthyeshëm, jo prej shumëkujt. Kjo vjen edhe për shkak të gjuhës së rëndë në tablotë e tij, tematikës dhe ngjyrave që përdor autori, për të cilin, po ashtu, zbërthimi i veprës së vet përmes fjalës, nuk është fort i mundur. “Unë nuk e tregoj dot pikturën, por mund të flas për laboratorin ku kryhet ajo”, shprehet ai.
* Gazmend Leka ka lindur më 11 tetor 1953 në Tiranë. Ai është një artist me përvojë shumë të gjatë si piktor, grafist, ilustrator, regjisor-piktor i filmit të animuar dhe projektues i sallave muzeale. Në vitin 1978 kryen studimet në Akademinë e Arteve dhe një vit më vonë fillon punë si bashkëpunëtor në dizenjimin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, punë të cilën e mbaron në vitin 1982. Për një periudhë 10-vjeçare (1981-1991) bëhet udhëheqës artistik i filmave vizatimorë në kinostudion “Shqipëria e Re” duke punuar si regjisor i tyre. Në vitin 1991 nis punë si profesor në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve (profesor i “Pikturës” dhe i “Teorisë së ngjyrës”). Gazmend Leka ka marrë pjesë në 170 ekspozita në grup dhe ka hapur 20 ekspozita vetjake. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndarë në koleksione private në: Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni.