“Modellare l’acqua”/“T’i japësh formë ujit” është vepra rreth së cilës u zhvillua bashkëbisedimi midis artistit Mario Airò dhe kuratorit Simone Ciglia (Simone Çilia), organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në mjedisin e Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel, më 26 shkurt 2020, në Tiranë.

...

Tema e bashkëbisedimit vjen prej emërtimit të projektit të artistit në fjalë (“Modellare l’acqua”/“T’i japësh formë ujit”), projekt i cili ecën në rrugën e përsosmërisë artizanale të Abruzzo-s, vend i cili dallon për traditën e pasur të zejtarisë, një trashëgimi e cila po rimerr vëmendje. Artisti e preku për herë të parë qeramikën (sipas traditës së përpunimit majolik prej banorëve të Castelbasso-s, një nga qendrat kryesore të prodhimit të qeramikës në Itali, prodhim i cili arriti kulmin e cilësisë në shekujt XVI-XVII), për të formuar një motiv natyror: ujin dhe rrjedhën e tij, motiv prej të cilit ai kërkon të barasvlershmin në skulpturë, në një rikthim të hirit të tij, të tingullit të tij (ujit).

Ky art antik, i cili përbën pikënisjen dhe thelbin e projektit të ujit, ndikoi tek artisti në njohjen e mënyrave të zbatimit të idesë së projektit, i cili zuri fill nga mahnitja prej botës natyrore, nga dukuritë që lidhen me ujin, dhe mori udhë përmes përpunimit të qeramikës nga një këndvështrim bashkëkohor, duke krijuar kështu një instalacion që risjell/ripërpunon temën e burimit, të frymëzuar poetikisht. Kështu, nëpërmjet ndërthurjes së artit bashkëkohor me atë artizanal, në njëfarë mënyre krijohet jo vetëm ndërlidhja e teknikave dhe stileve, por edhe e kohëve, ndjeshmërisë të së djeshmes me atë të së sotmes, bashkim falë të cilit sigurohet vijueshmëria. Përballja me format, traditat dhe teknikat mundëson që gjërat të shihen nga një këndvështrim tjetër dhe të krijohen mundësi të reja.

Pa i dhënë përparësi ndonjë teknike të veçantë, përkundrazi, gjithmonë duke iu drejtuar asaj që i përshtatet më së miri idesë në fjalë, artisti Mario Airò mishëron atë gjuhë artistike që është e lirë të veprojë në mënyrë të ndryshueshme vazhdimisht; çdo rregull mund të vihet në dyshim, ndërsa respektimi i gjallërisë në të gjitha format e saj të shumta të të pasqyruarit, mbetet tipari kryesor i tij.

Hulumtimi i tij artistik përveçohet nga një mungesë e plotë kufijsh. Punimet e tij dëshmojnë se fushat e mundshme kulturore (letrare, kinematografike dhe muzikore) mund të gërshetohen së bashku me objektet e përditshme, në vizione me gjerësi të madhe që tërheqin vëmendjen e shikuesit, duke nxitur kureshtjen shqisore.

* Mario Airò ka lindur në Pavia në vitin 1961. Ka studiuar në Milano me Luciano Fabro-n dhe në mesin e viteve ’90 hapi, me artistë të tjerë, një hapësirë të vetëmenaxhuar në rrugën “Lazzaro Palazzi”. Në vitin 1997 mori pjesë në Bienalen e 47-të të Venecias, në Bienalen e Artit Bashkëkohor në Moskë dhe në vitin 2005 në Bienalen Guanxhu (Gwangju). Ka hapur shumë ekspozita vetjake dhe ka marrë pjesë në ekspozita të përbashkëta në institucione të shumta në të gjithë botën, përfshirë: GAM (Torino); KunsthalleLophem; Pallati i Trienales (Milano); Galeria Kombëtare e Parmës, Pallati Pilotta; Muzeu i Artit Bashkëkohor “Villa Croce” (Xhenova/Genova). Punimet e tij janë shfaqur, ndër të tjera, në kështjellën Rivoli, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Tokio dhe në S.M.A.K. Ghent. Gjithashtu, punimet e tij janë pjesë e koleksioneve të shumë institucioneve, përfshirë: MAXXI (Romë), kështjella RivoliGNAM (Romë), MAMbo (Bolonjë/Bologna), Muzeu Bolzano. Mario Airò jeton dhe punon në Milano.

* Simone Ciglia ka lindur në Peskara/Pescara në vitin 1982. Ka studiuar në nivelin e doktoraturës në fushën e historisë së artit bashkëkohor në Universitetin Sapienza në Romë. Ai punon kryesisht në fushën e artit dhe kritikës së artit të gjysmës së dytë të shekullit XX. Është studiues dhe kurator i pavarur, si dhe jep mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Urbino (Itali). Ai shkruan për katalogje, libra dhe revista. Në fushën e botimeve ka bashkëpunuar me institucionet “Zanichelli” dhe “Treçani”. Gjithashtu, është korrespondent i revistës “Flash Art” dhe ndihmësstudiues në MAXXI (Muzeu Kombëtar i Arteve të shekullit XXI, në Romë).