Noit Banai, historiane dhe kritike arti, zhvilloi një bashkëbisedim në mjedisin e Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel, më 15 mars 2019. Kjo veprimtari u mbështet nga Ambasada Austriake në Tiranë. Lidhur me temën rreth së cilës ligjëroi: “Të jesh një kufi: Strategjitë e rrëfimit dhe përfaqësimet trupore në artin bashkëkohor”, Noit Banai u mbështet në disa autorë ndërkombëtarë, të cilët shtjellojnë lëvizjen njerëzore në botë, si dhe dukuritë shoqërore që e pasojnë atë. Ajo nisi me arsyetimin e filozofes franceze Étienne Balibar se kulturat, gjuhët dhe gjenealogjitë ndihmojnë në “…kombëtarizimin e shoqërive…”.

...

Lëvizja njerëzore, e dëshiruar ose jo, e kushtëzuar nga një sërë rrethanash, prodhon kundërveprime të llojeve të ndryshme – qëndrime, të cilat vijnë edhe përmes gjuhës artistike. “Qendra për Bukurinë Politike” (Zentrum für Politische Schönheit) në Gjermani erdhi në bashkëbisedim përmes veprës “AYLAN 1” (Alexander Lehmann dhe Nick Jaussi), një nga 1000 platformat e shpëtimit, vendosur në detin Mesdhe në vitin 2015, kundërveprim i nxitur nga mbytja e fëmijës 3-vjeçar sirian.

Çfarë ndodh në rastin më të mirë me refugjatët? Pra, çfarë ndodh pasi kapërcejnë rrezikun e fundosjes në përpjekjen e tyre të mundimshme për shpëtim nga vendi i prejardhjes? Streha e parë është kampi. Në lidhje me këtë, në vëmendje u sollën disa nga fotografitë e artistit irlandez Richard Mosse. (“Moria in snow” (Lesbos) paraqet kampin e gjerë Moria në ishullin Lesbos në Greqi në të cilin strehoheshin 9000 emigrantë teksa hapësira ishte paramenduar për 3100). Të gjitha pamjet e tjera: “Detaj nga Moria në borë”, “Detaj nga kampi Idomeni”, “Hellinikon Olympic Arena” (stadiumi, i cili u bë strehë për 2000 refugjatë në vitin 2016) dhe “Tempelhof interior” japin kënde të ndryshme të mënyrës së jetesës në kampe, e cila paralelizohet me kampet e përqendrimit, me fortesat mesjetare po ashtu, duke e riizoluar kështu këtë bashkësi e cila po lëviz pikërisht për të qenë e lirë.

Vepra “No man’s land” nga Lucien Jonas, përfshirë nga Banai në ligjërim, përbën një kulmim të hidhur, i cili paraqet kalbëzimin njerëzor në kuptim të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm. Përtej mundimit njerëzor, çfarë dukurish shoqërore sjell lëvizja e detyruar? Lidhur me këtë, Noit Banai sjell arsyetimin nga filozofja Simone Weil mbi çrrënjosjen si një nga sëmundjet më të rrezikshme ndaj së cilës shoqëritë njerëzore janë të shpërfaqura.

Dyshja italiane Vedovamazzei (Simeone Crispino dhe Stella Scala) përmenden në bashkëbisedim për veprën me titull “Floating Human Shit…” (nr. 3, 7, 9), vepër në të cilën  autorët trajtojnë me sarkazmë shpërfilljen ndaj jetëve të humbura në det, duke provokuar me qëllim përmes paraqitjes grafike të mbetjeve ushqimore njerëzore mbivendosur mbi panorama natyrore idilike buzëdetare.

Midis të tjerash, Noit Banai citon sociologun W.E.Du Bois, duke analizuar dyjëzimin e njeriut në përpjekje për t’u përshtatur e mbijetuar pa një vetëdije të vërtetë, duke u detyruar ta shohë botën jo me sytë e vet, por përmes të tjerëve. Pavarësisht përpjekjeve për zhvillim dhe barazi, njerëzimi nuk i ka shpëtuar “mykut kolonial e patriarkal”. Në video-instalacionin “Illusions. Narcissus and Echo” (2016-2017) ngrihet pikërisht ky shqetësim, kërkimi i rrugëdaljes nga e gjithë kjo, prej artistit shumëdisiplinar portugez Grada Kilomba, artisti përmbyllës i ligjërimit nga Noit Banai në Platformën Harabel.