Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel zhvilloi në mjedisin e vet, më 7 qershor 2019, bashkëbisedimin me hulumtuesin, shkrimtarin dhe kuratorin Simone Frangi. Veprimtaria u zhvillua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.
Si njohës i fushës së estetikës dhe teorisë së artit, si ligjërues i lëndës së teorisë së artit bashkëkohor, kurator dhe bashkëkurator në ngjarje të rëndësishme artistike, Simone Frangi përqendrohet më së shumti në praktikat artistike që kanë në themel hulumtimin shumë të fortë teorik, pikërisht sepse e cilëson parimin e teorisë si një mënyrë veprimi.
Nga pikëpamja kuratoriale, Frangi është i mendimit se gjithçka duhet të vijë si rrjedhojë e ndërveprimit të vazhdueshëm midis artistit dhe kuratorit, në këtë rast të atij vetë; duke synuar krijimin e një reflektimi të përbashkët mbi nocionin e gjurmës; duke vendosur të mos përshtasë një formë të vendimmarrjes; duke mos qenë i vendosur në një drejtim të ngurtë kuratorial. Sipas tij, ekspozita nuk duhet të ketë një strukturë të paracaktuar, por duhet të marrë formë teksa zhvillohet.
Vështrimi kritik i Frangit përqendrohet në sferën publike konfliktuale, të fragmentuar. Tematika e cila e ka tërhequr më së shumti ka lidhje me dukuri të ndjeshme shoqërore siç janë: përcaktimet normative gjinore dhe racore, si dhe veprimet shtypëse ndaj tyre, duke bashkëpunuar me artistë që rishqyrtojnë rolet e ndërlidhura të seksualitetit, gjinisë, përkatësisë etnike dhe klasës brenda dukurive globale të pushtetit dhe pabarazisë.
Simone Frangi u ndal në shumë nga punët e tij, ndër të tjera në projektin e fundit kuratorial, “Somatechnics”. “Somatechnics” është një program shumëpërmasor kushtuar marrëdhënieve gjithëpërfshirëse mes mishërimeve racore, vizualitetit dhe lëvizshmërisë në Itali dhe Austri, në zonat kufitare në të cilat kombet e këtyre dy vendeve ndërpriten/bashkohen. Duke filluar nga veçoritë historike dhe gjeokulturore në Trentino Alto Adige, programi hulumton proceset e ndërtimit të identitetit etnik në lidhje me identitetin gjuhësor dhe me tiparet e shumta të përkatësisë, si dhe mbishkrimit/shkeljes që përvijëzojnë trupat tanë në territore të veçanta.
Në punën e tij akademike dhe kuratoriale, Simone Frangi përdor kurimin si mjet për krijimin e komuniteteve diskutuese dhe formave të kuvendit. Ai ka bashkëpunuar së fundmi me artistë dhe praktikantë që përpiqen të shpërbëjnë kulturën e tanishme kolonialiste europiane dhe veçanërisht atë italiane: kolonializmi historik dhe ideologjia e tij grabitqare vazhdojnë të veprojnë në botën bashkëkohore nëpërmjet një trashëgimie kulturore që e bazon mbarëveprimin e saj në krijimin e një amnezie koloniale.