Objektet që u shpërfaqën në hapësirën e ekspozitës së Qendrës Kulturore TULLA shoqërohen me shkrime krah tyre, në mur, ku cilësohen titujt dhe emrat e krijuesve. Mënyra e servirjes së titullit dhe krijuesit është praktike dhe joformale. Në një vështrim të dytë edhe infrastruktura që ndihmon ndërtimin e veprës është krejt e dukshme për vizitorët. Me infrastrukturë nënkuptojmë pajisjet të cilat i japin jetë videove si kompjuterat, telat, ngjitësat etj., pra materialet ndihmëse ose rekuizitat që shërbejnë për vënien në jetë të veprës. Ato janë lënë të dukshme sepse veprat e ekspozitës janë rezultati i një punëtorie dyjavore pranë qendrës TULLA, një laborator me funksion studimin dhe hulumtimin mbi artin bashkëkohor, mënyrën e realizimit të veprës artistike në praktikë dhe aspektet konceptuale të saj. Fokusi ishte vepra publike dhe akti i ndërhyrjes në hapësirën publike me anë të artit, e cila nga ana tjetër lipsej të mbartte dhe një ide të lidhur me një fjalë që pjesëmarrësit mund ta zgjidhnin vetë.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur nëpërmjet një thirrjeje të hapur për të marrë pjesë në punëtorinë 14 – ditore, u ndoqën nga tre artistë bashkëkohorë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Ledia Kostandini mbuloi kursin e mbiquajtur ‘Loja e Madhe Urbane’, që i dedikohej qytetit dhe eksplorimit të tij nëpërmjet artit, gjithashtu perceptimit të qytetit si hapësirë performuese. Driant Zeneli ndërtoi ‘Shënime për Mijëvjeçarin Tonë’ (bazuar në librin ‘Mësime Amerikane’ nga Italo Calvino) me fokus në komunikim dhe formën që ai merr në sensin letrar dhe multimedial. Edison Ceraj në ciklin ‘Muzeu i Fjalës’ ndihmoi pjesëmarrësit të realizojnë në praktikë veprat në përputhje me leksionet e marra. Lektorët shërbyen si instruktorë, që nëpërmjet prezantimeve dhe punës praktike ndanë informacion mbi aspekte teorike dhe teknike të artit bashkëkohor. Sferat e interesit përfshinin historinë e artit, artin publik, videot, instalacionet, marrëdhënien mes artistit dhe veprës, përfshirja e temave sociale në të, etj. Në përfundim të punëtorisë, pjesëmarrësit krijuan veprat përkatëse, duke përzgjedhur një fjalë shqiptare apo një koncept dhe duke ndërtuar rreth kësaj fjale një vepër publike (ose që mund të ekspozohej publikisht). 13 vepra u ekspozuan pranë Qendrës Kulturore TULLA deri më 16 korrik për vizitorët.
Arbnor Morina – Shllim – Instalacion, Një pasqyrë me kornizë klasike ngjyrë floriri qëndron në mur dhe pasqyron vizitorët.
Elsamina Musiq & Xhulian Millaj – No Deadlines – Video – Togfjalëshi NO DEADLINES projektohet mbi fasadat e godinave të ndryshme në qytet.
Eglira Aska – Nënkresë – Instalacion – Një kokë manekini çlodhet mbi një pirg nënkresash.
England Likoni – Sampling Madness – Instalacion – Piktura e njohur hollandeze “Regents of the old Man’s Almshouse” shfaqet në përmasa të mëdha, sytë e subjekteve të mbyllur ia transferojnë shikimin një ekrani, ku përsëriten fragmente nga “Eyes Without a Face”, kur Billy Idol sheh ngultas. Nën të, artisti Egli Likoni shfaqet duke lyer murin e njohur urban të kryeqytetit, mbiquajtur joformalisht si Muri i Bijes në nder të zonjës që e mbante të pastër obsesivisht.
Inda Sela – Instalacion & Video – Një shirit inaugurimesh, i lidhur mes dy mbajtësesh druri, qëndron në hapësira të ndryshme publike.
Klodian Gjonpalaj – Kornizë – Instalacion & Fotografi – Korniza të ndryshme boshe pozicionohen në hapësira publike.
Kristjana Cene – Aht – Instalacion & Video – Artistja shfaqet duke shqiptuar me tone të ndryshme fjalën “aht”, që tradicionalisht përfaqëson grahmën e fundit para vdekjes.
Mario Dine – Petrit – Fotografi – Një kornizë me foton e zogut petrit shfaqet në mur.
Nadia Abazi – Instalacion – Një grup kubash me gogla brenda, të vendour pjesërisht në një mbajtëse xhami të varur me fije dhe pjesërisht në tokë. Vizitorët mund të luajnë me kubat lirisht.
Nina Ahmetaj – Aritmi – Video – Një fëmijë dhe një grua në moshë, ulur në park, bëjnë të njëjtat lëvizje, fillimisht të ngadalta e gradualisht duke u shpejtuar, në ritme të ndryshme.
Resina Meçani – BUBI – Instalacion & Video – Objekt që mban të hapura dyert e hapësirave të ndryshme.
Zen Alia – Tik Tak – Instalacion – Një sahat me shufra hekuri në vend të akrepave, të pozicionuar në formë kryqi, ngrihet në lartësi.