Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel inauguroi e veprën publike “Kafka” të artistes Lumturi Blloshmi më 26 maj 2022. Kjo vepër u instalua në sallën qendrore të Universitetit të Arteve, Tiranë.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit Manifesta 14 për Ballkanin Perëndimor dhe është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

Qendra Harabel është një nga partnerët e Manifesta 14 Prishtina dhe ky është projekti i katërt i organizuar në lidhje me programin e edicionit të 14-të të Manifestës për Shqipërinë.

Instalacioni i veprës “Kafka” në Universitetin e Arteve është nismë e platformës Harabel me mbështetjen e Galerisë Zenith.

Kjo punë e realizuar nga Blloshmi është ekspozuar për herë të parë në vitin 2009. Ajo është renditur ndër veprat e artit me simbolikën e kafkës njerëzore, të realizuara nga artistë të njohur nga e gjithë bota, në homazh të artistit britanik Damien Hirst.

Vepra është realizuar me rezinë në formën e kafkës dhe në sipërfaqe të saj janë ngjitur me qindra bishta cigaresh. Vepra synon të rrisë ndërgjegjësimin ndaj ndotjes e mbetjeve, si dhe kërkon të përcjellë reflektim ndaj jetës dhe vdekjes.

Vepra është vendosur brenda një strukture transparente në formën e kubit me lartësi 130 cm dhe do të qëndrojë e ekspozuar në sallën qendrore të Universitetit të Arteve, e cila shërben si një rrugëkalim i departamenteve të ndryshme të universitetit.

Rreth artistes

Lumturi Blloshmi (1944 – 2020) ka qenë artiste bashkëkohore shqiptare. Artistja Blloshmi ka kryer Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1959-1963) dhe vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë ku u diplomua në vitin 1968. Blloshmi ishte anëtare e shoqatës së grave artiste shqiptare “Linda”. Piktorja Blloshmi filloi krijimtarinë në prag të ngjarjeve të vështira që kalonin artistët në Shqipëri në vitet 1973-1974, ku mjaft udhëheqës të lartë të Partisë dhe shtetit, si dhe artistë të tjerë u dënuan me burgime nga diktatori i atëhershëm Enver Hoxha. Në këtë atmosferë ajo punoi kryesisht peizazhe e portrete me të cilat është prezantuar në ekspozitat kombëtare të kohës, të cilat janë realiste.

Veprat e saj kanë qenë pjesë e disa ekspozitave vetjake dhe në grup që janë zhvilluar në Shqipëri dhe në institucione ndërkombëtare.