Giovanna Bianco & Pino Valente | “Të shohësh përtej”/Instituti Italian i Kultures & Harabel Contemporary
Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë për pjesëmarrje në workshop-in e artistëve italianë Bianco – Valente, i cili mundësohet prej Institutit Italian të Kulturës në bashkëpunim me Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel. Workshop-i zhvillohet në Tiranë, në datat 2-3-4 dhjetor 2019 dhe do të përmbyllet me një ndërhyrje arti publik në qytetin e Tiranës, për t’u përuruar në muajin mars të vitit 2020.
Koncepti: “Të shohësh përtej”
Pikërisht dje mendonim për yjësitë, për të vërtetën se njeriu shumë herët ka ndier nevojën e bashkimit të yjeve nëpërmjet disa vijave parafytyruese, në të vërtetë të padukshme në qiellin e natës, duke u dhënë forma, emra e duke i shenjuar ato. Yjësitë dhe planetet, të lidhura edhe ato në një skenar mitologjik, kanë mishëruar histori të panumërta të trashëguara nga njëri brez në tjetrin, në fillim gojarisht e më pas nëpërmjet të shkruarit, duke arritur deri te ne.
Ndoshta nuk është e rastësishme që dukuritë trunore te të cilat bazohet të kuptuarit veprojnë në të njëjtën mënyrë: sa herë gjendemi përballë një të panjohure, të cilën nuk e kemi përjetuar kurrë më parë, të dhënat e papërpunuara, që nga shqisat tona shkojnë në tru, krijojnë një marrëdhënie me tërësinë e përvojave të mëparshme, me kujtimin e të gjitha dukurive, me plejadat e njerëzve, vendeve dhe sendeve me të cilat kemi pasur mundësi të lidhemi në të shkuarën. Vetëm në këtë mënyrë, duke krahasuar nxitjen shqisore me përvojën e shpërfaqur, mund t’u japim një emër sendeve, të parafytyrojmë se në ç’mënyrë një vend, një njeri apo një send lidhet me gjithçka tjetër.
Puna e artistit bazohet pikërisht në këto parime: të bëjë të dukshme të padukshmen, të këshillojë, të risjellë, të nxjerrë në pah rrjetin e stërhollë të lidhjeve që mbajnë bashkë ngjarjet, njerëzit dhe vendet, në hapësirë dhe në kohë. Në këto procese ka pak hapësirë për lajmin, për teknologjitë, për afrimitetin apo zakonin e mënyrave shprehëse dhe dëshirave të vërteta, mirëpo nevojitet t’u shkohet çështjeve deri në fund, duhet të mbërrihet në ato veprime instinktive që e përveçojnë njeriun, që dukshëm e udhëheqin. Është e nevojshme të vazhdojmë t’i bëjmë vetes ato pyetje të cilat duket se nuk kanë një përgjigje, të vazhdojmë të kërkojmë kuptimin e vërtetë të të qenit (ekzistencës) tonë, të ushtrohemi në terrenin në të cilin luajnë filozofët dhe njerëzit e fesë, duke kërkuar – nëse është e mundur – këndvështrime të tjera nga ku të vështrojmë atë çka ekziston.
Duhet të jemi të përgatitur të përmbysim në çdo çast projektet tona, duke pranuar me lehtësi gjurmët e kohës, të vendit, të njerëzve të cilët punojnë me ne, sa herë shfaqim një mendim i cili, sipas mendjes sonë, përshtatet me realitetin e jashtëm. Po ta mendojmë mirë, janë pikërisht këto problematika të vogla që hasim gjatë rrugës, të cilat e bëjnë tërësisht të gjallë, bashkëkohore dhe të nevojshme punën tonë. Duhet të pranojmë idenë se ne vetëm mund të strukturojmë dhe të nisim proceset e ndërveprimit, të cilat, gjatë kohës, nuk do të jemi më në gjendje t’i mbikëqyrim plotësisht. Nuk mund të mendojmë se mund të kemi parasysh e të modelojmë të gjitha ato ndryshore që u japin jetë proceseve të lidhura me kompleksitetin. Mos kini frikë, gjërat do të shkojnë ashtu siç duhet të shkojnë.
Nëse humbja e çdo sigurie të tremb, nëse është e padurueshme që horizontet e kuptimit të duken kaq të largëta, të shpërbëra, të papërdorshme për drejtimin, mund të vendosim gjithsesi të punojmë në një hapësirë të caktuar, jo shumë komplekse, joproblematike, në të cilën është e vërtetë, do të mund të mbikëqyrim gjithçka, por nga e cila nuk do të mund të dalin në pah veçse vepra të zakonshme, jo të përshtatshme, me një këndvështrim i cili, me shumë mund, do të përkufizojë egon tonë, vetëm atë.
Workshop: “Tirana on my mind”
Workshop mbi përfytyrimin dhe vegimet lidhur me qytetin e Tiranës.
Bianco – Valente, pas paraqitjes fillestare të disa projekteve të artit publik dhe pjesëmarrës, do të ilustrojnë hapat e ndryshëm të zhvillimit të një vepre arti, duke nisur nga ideimi i saj e deri në kryerjen përfundimtare. Kjo veprimtari ka për qëllim të ushqejë mendimin kritik dhe i lejon pjesëmarrësit të eksperimentojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë proceset në themel të përkufizimit të një ideje dhe të përcaktimit të shestimeve (strategjive) për t’u ndërmarrë, derisa vepra të marrë formë. Në mënyrën e tyre vepruese, Bianco – Valente i japin një rëndësi të madhe krijimit të grupit të punës dhe bashkëpunimeve shumëdisiplinare, ku e njëjta temë shihet dhe përballohet nga këndvështrime të ndryshme të lidhura me të kaluara të ndryshme formimi dhe me përvojën vetjake.
Për këtë arsye, ata nuk do të propozojnë një projekt të ideuar prej tyre, për ta kryer bashkë me pjesëmarrësit, të cilët, si rrjedhojë, do të merrnin rolin e pjesëmarrësve të thjeshtë; ata do të jenë vetë pjesëmarrësit që do të nxiten të marrin pjesë në një punë të përbashkët e të ngjeshur, e cila, nga një gjendje fillestare në dukje kaotike, do të çojë në përcaktimin e një projekti të përbashkët, për t’u zhvilluar dhe ngritur në hapësirën publike.
* Giovanna Bianco dhe Pino Valente e kanë nisur projektin e tyre artistik në vitin 1994, duke shqyrtuar nga pikëpamja shkencore dhe filozofike dyzimin trup-mendje, zhvillimin e shembujve të ndërveprimit midis formave të jetës, të kuptuarin, përcjelljen e përvojave midis të treguarit dhe të shkruarit. Këto studime janë pasuar nga një zhvillim projektimi që synon të bëjë më të dukshme lidhjet midis njerëzve. Këtë e dëshmojnë instalacionet në ndërtesa të ndryshme historike, të ndjekura nga shumë punime të tjera të përqendruara mbi marrëdhënien midis njerëzve, ngjarjeve dhe vendeve.
Që prej nisjes së veprimtarisë së tyre, Bianco – Valente kanë marrë pjesë në ekspozita të shumta vetjake dhe të përbashkëta, në Itali dhe jashtë saj, si edhe kanë krijuar instalacione për muze të rëndësishme dhe hapësira publike, si: Muzeu MAXXI (Romë); MACBA (Barcelonë); Muzeu Madre (Napoli); Fabbrica 798 (Pekin); Pallati Strozzi (Firence); Triennalja e Milanos; Urban Planning Exhibition Center (Shanghai); Muzeu Reina Sofia (Madrid); Pallati i Ekspozitave (Romë); Muzeu Pecci (Prato); Kunsthaus Hamburg; NCCA – National Centre for Contemporary Arts (Moskë); MSU- Muzej Suvremene Umjetnosti, Zagreb (Kroaci).
Projekti i tyre “Terra di me” përzgjidhet si ngjarje mbështetëse e Manifesta 12 (Palermo 2018); marrin pjesë në Bienal del Fin del Mundo 2015; Mar Del Plata, (Argjentinë) dhe në 2nd Xinjiang International Art Biennale, Urumqi (Kinë) 2014. Kanë zhvilluar projekte (site specific) edhe në Liban (Becharre); Marok (Marrakech); Nju-Jork (ISP 2014 Whitney Museum, The Kitchen); Rio de Zhaneiro (Rio de Janeiro) (Casa Italia – Olimpiadat Rio 2016); Stokholm; Institutin Italian të Kulturës, 2018; FreiRaum Naples/Amsterdam 2018/2019; Ambasadën e Italisë në Yerevan, Armeni, 2019.
Kushtet për pjesëmarrjen:
Pjesëmarrja është e hapur për artistët e rinj të të gjitha disiplinave: studentë të arteve, arkitekturës dhe projektues të rinj deri në moshën 35 vjeç. Numri më i lartë i pjesmarrësve është 20.
Për të marrë pjesë në workshop, dërgoni e-mail në adresën: joy@harabel.com.al brenda datës 25 nëntor 2019, duke përfshirë në të: një jetëshkrim të shkurtër, link/pamje të disa prej punimeve tuaja, motivimet/synimet (më së shumti 500 fjalë), si dhe mënyrat e kontaktit me ju.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të njoftohen përmes e-mail-it apo telefonit brenda datës 29 nëntor 2019.
Takimi i parë me dyshen Bianco – Valente është parashikuar ditën e hënë, 2 dhjetor 2019, ora 15:00, pranë Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel.