Back to Projects
Projects
Public art
Public art
article image
Reja | Tiranë
30th May 2018

Art Publik | Anri Sala/ Harabel Contemporary

Më 30 maj 2018, e ftuar nga REJA dhe duke filluar prej orës 20:30, Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL do të prezantojë dy vepra të artistit Anri Sala: Take Over (2017) dhe Mixed Behaviour Reloaded (2018).  Ndërmjet kohës së prezantimit të dy veprave, të gjithë pjesëmarrësit janë të mirëpritur të bashkohen në një bashkëbisedim të hapur me artistin.


Take Over (Marseillaise), 2017
Video-projeksion
Kohëzgjatja 7:56 min

Take Over (Internationale), 2017
Video-projeksion
Kohëzgjatja 7:56 min

Take Over(2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma.
Trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës. Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste. Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm. Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit.

Për Take Over ka luajtur në piano Clemens Hund-Göschel

Mixed Behaviour Reloaded, 2018
Performancë
Kohëzgjatja përafërsisht 30 min

Mixed Behaviour Reloaded (2018) është një vepër arti në formën e performancës, e cila paraqitet për herë të parë për publikun, vazhdim i veprës së famshme të artistit Mixed Behavior (2003). Kjo punë mishëron tematikat dhe strategjitë më të rëndësishme të veprës së artistit,duke vendosur në të njëjtin koncept vizual planin e parë dhe prapaskenën, dritën dhe errësirën, tingullin dhe figurën.

Në veprën origjinale Mixed Behaviour të vitit 2003, një DJ i vetmuar, performuar nga DJ shqiptar Minimim, rrotullon diskun dhe luan muzikë në një tarracë të një pallati në Tiranë. Bie shi dhe është prag vigjiljeje e Vitit të Ri. DJ, përkulur mbi mjetet e tij për të luajtur muzikë, është i mbuluar nga një qese e gomuar, ndërsa në sfond fishekzjarret shpërthejnë rreth tij, duke i dhënë dritë errësirës; zhurma e tyre përplaset njëkohësisht me zhurmën e shkrepjeve të armëve të zjarrit, një traditë festive vendase shqiptare e kohës. Gradualisht kuptojmë se kolona zanore e videos, pra DJ, luan në sinkronizim të manipuluar me fishekzjarret . DJ duket se kontrollon një skenë që shtrihet në sfond si një ekran filmi ose kanavace.

Ndërkohë që muzika vazhdon të luhet në mënyrë të parashikueshme dhe lineare, duke u munduar të pasqyrojë zhurmën e fishekzjarreve në distancë, ne kuptojmë se imazhet po lëvizin në reversë, pothuajse pa u ndier. Fishekzjarret duken sikur nga shpërthimi lëvizin mbrapsht për t’u rikthyer në ambalazhin e tyre. Ky veprim sugjeron praktikën e “gërvishtjes” nga DJ mbi disqet muzikore, shpejt dhe në mënyrë të përsëritur, duke e kthyer tingullin herë pas here mbrapsht.

Për Mixed Behaviour Reloaded, Sala punon përsëri me DJ Minimim, duke e ftuar atë të luajë ndërkohë që në një ekran shfaqet po ai, 15 vite më parë. Përmes Mixed Behaviour, performanca do të sjellë jehonën e tingujve të Tiranës së vitit 2003, tani nën një konstelacion krejtësisht të ri, ashtu siç do të jehojë natën e 30 majit 2018 te Reja, pranë Bulevardit të Tiranës, duke krijuar një lojë mes tingullit dhe zhurmave të gjalla të qytetit në sfond.

Anri Sala

Lindur në Tiranë, Shqipëri, 1974. Studime pasuniversitare në regji filmi, në Le Fresnoy, Studio National des Arts Contemporains, Francë, 1998-2000 Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs (video), Paris, Francë 1996 – 1998 Akademia e Arteve, Tiranë, Shqipëri, 1992-1996. Jeton dhe punon në Berlin, Gjermani.Reja – adress: Bulevardi Dëshmorët e Kombit 4, Tiranë, Albania

search cross