Back to Exhibition
Exhibition
article image
Galeria Fab | Tiranë
17th April 2019

Lekë Tasi | “Vizatime të një jete”/ Harabel Contemporary

Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel ka kënaqësinë t’ju ftojë në ekspozitën vetjake me titull “Vizatime të një jete” të artistit Lekë Tasi. Ekspozita në fjalë është kuruar nga studiuesi Zef Paci dhe Platforma Harabel. Ekspozita do të zhvillohet në mjedisin e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve dhe do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë datave 17 – 28 prill 2019.

Platforma Harabel mundëson për herë të parë ekspozimin e vizatimeve të Lekë Tasit dhe kjo organizohet me rastin e 90-vjetorit të autorit. Për këtë arsye, u mendua kjo paralele ndërmjet ardhjes, lindjes dhe vizatimit si lindje, zanafillë, si ngjizje e veprës së partit. Ekspozita është një përzgjedhje në kërkimin artistik tejet afatgjatë të një personi që dikur jetonte në persekutim, i cili, duke mos mundur të shprehej lirisht nëpërmjet të folurit dhe shkrimit, ka përdorur dhe përdor vizatimin si një mjet komunikues në jetën e përditshme.

Vizatimet e tij ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemes; herë-herë përçojnë diçka epshore. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton kah tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën.

Rreth artistit

Lekë Tasi ka lindur në vitin 1929 në Athinë në një familje emigrantësh shqiptarë. Ai studioi muzikë dhe punoi si violonçelist në Radio, Filarmoni dhe në Teatrin e Operës (1946-1967). I pushuar për arsye politike, u internua në Myzeqe, ku u mor me punë bujqësore. Lirimi i plotë erdhi në vitin 1990. Në vitin 1991 u emërua në sekretariatin për fenë në Ministrinë e Kulturës dhe më vonë në Kryeministri, ku qëndroi deri në vitin 1998.

Ai është marrë qysh i vogël me pikturë; fillimisht me grafikë (akuarel, tempera, pastel, bojë kineze, flomaster) dhe më vonë gati tërësisht me vaj. Megjithëse autodidakt, punimet e tij janë çmuar qysh herët nga piktorët e mirënjohur: Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali, me të cilët këshillohej.

Lekë Tasi ka marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të organizuar nga Fondacioni Soros (1992) te Piramida dhe katër herë në GKA (në vitet 1992, 2003, 2007, 2015). Së bashku me piktorët Ll. Blido dhe R. Guci kanë ekspozuar në galerinë “Jozef” (Durrës, 2005). Ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “Onufri” tri herë përgjatë viteve ’90; pjesëmarrja e fundit shënohet në vitin 2004 me ekspozitën me titull “Vende të spikatura”.

Ndër ekspozitat vetjake përmenden ato në galeritë: “Exit” (Pejë, 2005), “Zeta” (Tiranë, 2012), si dhe “DIDART” (Tiranë, 2008-2012). Përtej Shqipërisë, ka ekspozuar në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Xhenova (Genova, Itali) bashkë me 25 artistë të tjerë në ekspozitën “Arti në Shqipëri – para dhe pas vitit 1990” (nëntor 2009 – shkurt 2010). Në mënyrë vetjake, në Alba, Galeria d`Arte – Angelo Galeasso, ka hapur ekspozitën “La Mia Açademia delle Ore Libere” (21-29 korrik 2014). Në prill të vitit 2016 ka marrë pjesë së bashku me 163 artistë shqiptarë në veprimtarinë e Luciano Benetton Collection “Imago Mundi”.

search cross