Ekspozita vetjake “Punime të një jete” e artistit Lekë Tasi, kuruar nga Zef Paci dhe HARABEL, u shfaq në mjedisin e galerisë FAB në Tiranë që prej 17 prillit deri më 28 prill 2019. Në ndryshim nga çdo ekspozitë tjetër e Lekë Tasit, i mirënjohur për pikturën e tij në vaj, plot personazhe e situata shumëngjyrëshe, surrealiste deri në magji, kjo ekspozitë solli vizatimet e tij, të krijuara në intimitet, pa paramendimin se një ditë do të ekspozoheshin – siç një shkrimtar shkruan në ditar, e jo në makinë shkrimi. Qëllimi final i një vepre e kushtëzon pashmangshmërisht atë. Mungesa e qëllimit për t’i ekspozuar një ditë këto vizatime, bën që ato të shpërfaqin shumë thjeshtë sinqeritetin e tyre, në të mirë e në të keq, në dashuri e në frikë. Gjuha e vizatimit është e thjeshtë, gati rastësore, çka e bën të gjithë përjetimin e ekspozitës shumë të freskët, edhe kur subjekti i krijimit është dramatik.
Përmes skicave Lekë Tasi përshkruan shkurtimisht ngjarje e karaktere; përcjell ndjesi gjithfarë, të jetuara ndoshta a të vëzhguara drejtpërdrejt. Thjeshtësia dhe pafajësia me të cilat mendimet dhe ndjesitë e tij paraqiten, të përfshijnë duke të çuar në një labirint të ndërlikuar, njësoj si të jesh duke u endur në një botë çudirash. Por gjithmonë pa e ndier rëndesën e kësaj bote surreale, thuajse si në një pluskim mbi ujë. Jo vetëm ekspozita, por e gjithë krijimtaria skicuese e Lekë Tasit është në vetvete një dialog i heshtur me veten për jetën: herë tejet i pastër, herë nënqeshës e diku-diku gjykues. Sidoqoftë, në asnjë rast paragjykues.
Lidhur me ekspozitën në fjalë studiuesi Zef Paci, në shkrimin kuratorial, shprehet: “Në këto vizatime shfaqen njëherësh jeta dhe krijimtaria e Lekë Tasit. Ai jetoi e punoi i shkëputur prej rrymës së vetme sunduese në Shqipëri, realizmit socialist, edhe pse u gjend brenda vorbullës së saj. Orvatjet e tij artistike zunë fill e vijuan për njëfarë kohe në një periudhë shtrëngese të madhe, por u zhvilluan lirshmërisht, ngaqë nuk do t’ia tregonte kujt. Si fillestar, mori disa mësime arti, por i gjendur në një situatë persekutimi e përjashtimi, shtjelloi dora-dorës një stil vetjak. Rasti i tij dëshmon se prej çastesh të vështira mund të rrjedhin forma të larta shprehjeje.
Vizatimet u ekspozuan me rastin e ditëlindjes së 90-të të autorit e, sa kujtojnë vitet e kaluara, po aq nderojnë ditën e lindjes. Pra, u mendua kjo paralele ndërmjet ardhjes në jetë dhe vizatimit si lindje, si ngjizje e veprës së artit. Pamundësia e tij për të treguar historinë, përjetimet, ka gjetur aty, te vizatimi, mjetin për të thënë atë që buron vetiu, pa e korrigjuar apo pa iu shtruar logjikës së ftohtë, pa censurë e autocensurë. Nuk i ka menduar posaçërisht si punime që mund të ekspozohen; disa syresh janë punuar nga të dyja anët e fletës.
Ekspozita ishte një përzgjedhje e vogël prej një projekti artistik tejet afatgjatë të ndërmarrë nga artisti. Kryesisht, ai ka punuar e vijon të punojë në formate të vogla; si vizatimi, ashtu edhe piktura e tij kanë si pikënisje përmasën e një flete. Temperamenti i nxit sinqeritetin e jo gjiganten. Nëpërmjet vizatimeve, ai e drejton vëmendjen kah historive të vogla, anekdotave, thashethemeve, tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën.
Ndodh të ndiesh ironinë, por jo të pamëshirshme. Vijëzimet e tij ruajnë një frymë loje. Leka vetë e pohon vrojtimin që ka mbi realitetin, por loja është një mënyrë për t’iu afruar e njëkohësisht për t’iu larguar atij. Mënyra se si vizaton, fluron një frymë poetike. Ai punon me të duke përfshirë herë-herë edhe ngjyrën, për të ndjellë ndjesi që shkojnë prej haresë e dehjes në një melankoli të butë e deri te një dëshpërim i pashpresë.”
* Lekë Tasi ka lindur në vitin 1929 në Athinë, në një familje emigrantësh shqiptarë. Ai studioi muzikë dhe punoi si violonçelist në Radio, Filarmoni dhe në Teatrin e Operës (1946-1967). I pushuar për arsye politike, u internua në Myzeqe, ku u mor me punë bujqësore. Lirimi i plotë erdhi në vitin 1990. Në vitin 1991 u emërua në sekretariatin për fenë në Ministrinë e Kulturës dhe më vonë në Kryeministri, ku qëndroi deri në vitin 1998. Ai është marrë qysh i vogël me pikturë; fillimisht me grafikë (akuarel, tempera, pastel, bojë kineze, flomaster) dhe më vonë gati tërësisht me vaj. Megjithëse autodidakt, punimet e tij janë çmuar qysh herët nga piktorët e mirënjohur: Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali, me të cilët këshillohej.
Lekë Tasi ka marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të organizuar nga Fondacioni Soros (1992) te Piramida dhe katër herë në GKA (në vitet 1992, 2003, 2007, 2015). Së bashku me piktorët Ll. Blido dhe R. Guci kanë ekspozuar në galerinë “Jozef” (Durrës, 2005). Ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “Onufri” tri herë përgjatë viteve ’90; pjesëmarrja e fundit shënohet në vitin 2004 me ekspozitën me titull “Vende të spikatura”. Ndër ekspozitat vetjake përmenden ato në galeritë: “Exit” (Pejë, 2005), “Zeta” (Tiranë, 2012), si dhe “DIDART” (Tiranë, 2008-2012). Përtej Shqipërisë, ka ekspozuar në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Xhenova (Genova, Itali) bashkë me 25 artistë të tjerë në ekspozitën “Arti në Shqipëri – para dhe pas vitit 1990” (nëntor 2009 – shkurt 2010). Në mënyrë vetjake, në Alba, Galeria d`Arte – Angelo Galeasso, ka hapur ekspozitën “La Mia Accademia delle Ore Libere” (21-29 korrik 2014). Në prill të vitit 2016 ka marrë pjesë së bashku me 163 artistë shqiptarë në veprimtarinë e Luciano Benetton Collection “Imago Mundi”.