Të premten, më 19 mars, 2021, u përurua vepra publike me titull “Enough Is Enough” nga artisti Alban Muja, projekt i Platformës së Artit Bashkëkohor HARABEL dhe kuruar po nga kjo e fundit.

Kjo vepër vjen në kuadër të një projekti afatgjatë të Harabel që ka nisur përgjatë vitit 2020 dhe përmban një seri veprash arti të realizuara nga artistë bashkëkohorë, të cilat do të vendosen në hapësirat publike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Ky projekt ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor, si dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.

“Enough Is Enough” është vepra e dytë që bën pjesë në këtë projekt, i cili ka nisur me përurimin e veprës “Bukurshkrimi” të artistit Adrian Paci, në nëntorin e vitit të kaluar.

Koncepti

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 15 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough Is Enough” është e pazakontë për të në formë, por një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough Is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough Is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.

“Enough Is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej Presidentit George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” Kosova është e pavarur!” (“At some point in time, sooner rather than later, you’ve got to say enough is enough, Kosovo is independent!”), duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.
“Enough Is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, Enough is Enough nuk vjen vetëm si përgjigjja që Presidenti Amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

(Teksti kuratorial nga Ajola Xoxa)

Rreth artistit

Alban Muja (i lindur në 1980) është një artist bashkëkohor kosovar që jeton mes Berlinit dhe Prishtinës. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit shoqëror, politik dhe ekonomik në rajonin e gjerë përreth, ai shqyrton historinë dhe temat socio-politike dhe i lidh ato me pozicionin e tij në Kosovë sot.
Disa prej ekspozitave të zgjedhura ku ai ka marrë pjesë janë : Muzeun Ludwig, Budapest; Muzeu Maxxi, Romë; Bienaleja e 3-të e Artit Industrial, Istria, Kroaci; Qendra Eksperimentale MOMus për Artet, Selanik; Muzeu i Artit Kumu, Talin; Muzeu i Artit Guangdong; Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup; MeetFactory, Pragë; Forum Stadpark, Graz; Galeria James, New York; Galeria e Arteve e Qytetit të Lubjanës; Muzeu i Artit Zhejiang, Hangzhou; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Trieste Contemporanea; Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor, Rijeka; Galeria Kombëtare e Artit Zachęta, Varshavë; Ien Bienaleja e 2-të e Artit Bashkëkohor në strehën Atomike në Konjic, BiH; Galeria Škuc, Ljubljana; Galeria Kombëtare e Kosovës; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Galeria Gagosian, Beverly Hills; Galeria Kombëtare Sllovake; Staatliche Kunsthalle, Baden-Baden; Bienaleja e 28-të Grafike e Lubjanës; nGbK, Berlin; Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë; Bienalja e Cetinje dhe të tjerët.
Muja në vitin 2019 përfaqësoi Pavionin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 58-të të Venecias me projektin e quajtur “Albumi i Familjes”.