Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel në bashkëpunim me ambasadën italiane në Tiranë, prezantoi ekspozitën “I VEGGENTI” në Tiranë, me datë 21 korrik 2021, nga artistët  Patrick Tuttofuoco dhe Andrea Anastasio, kuruar nga Davide Quadrio dhe Ajola Xoxa, me mbështetjen e Arthub dhe shoqatës Capo d’Arte. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 shtator 2021.

Kjo ekspozitë përbën episodin e parë të një rrugëtimi që do arrijë kulmin e tij në 2022, kur dy artistët italianë Patrick Tuttofuoco dhe Andrea Anastasio, protagonistë të projektit, të kthejnë në të përhershëm në një hapësirë publike në Tiranë, frytin e kërkimit të tyre të një natyre komplekse, të kryer mes arkitekturës, hapësirës relacionale dhe historisë, e cila i shikon për herë të parë duke shfaqur së bashku një seri punimesh, shumë prej të cilave janë krijuar ad hoc.

Duke ardhur prej brezash dhe praktikash artistike të ndryshme, Tuttofuoco dhe Anastasio kanë pranuar ftesën për të punuar më vete, por njëkohësisht së bashku, në një projekt specifik në Tiranë, në të cilin reflektimi mbi kulturën dhe historinë e ndërlikuar të Shqipërisë do të mund të takohet me ndjeshmërinë e tyre artistike.

Patrick Tuttofuoco punon prej dhjetëra vitesh në sferën publike, duke krijuar punë që lidhin vendet historike të zonës me pop kulturën bashkëkohore: instalacione monumentale, duke përfshirë arkitekturën, krijime enigmatike dhe totemike që i dhurojnë publikut emocione shumëngjyrëshe dhe të mprehta.

Andrea Anastasio është një autor i cili punon me mediume të ndryshme në fushën e dizajn-it, arkitekturës dhe artit pamor. Të gjitha punët e tij karakterizohen prej nënkuptimesh filozofike dhe shpesh kanë një natyrë performuese: Anastasio ndërhyn me materialin dhe me arketipet e fshehura, duke krijuar përherë truke vizuale të reja që sjellin efekte emocionale komplekse.

Ekspozita “I VEGGENTI” është pritur shumë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Z. Fabrizio Bucci, dhe shënjon një kapitull të ri në marrëdhënien kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Ky projekt vendos një bashkëpunim të ri në artin bashkëkohor midis dy vendeve tona. Një rrugëtim zbulimi, krijimtarie dhe bashkëndarjeje, sjellë në Shqipëri nga dy artistë të mëdhenj italianë. Punimet e tyre, të rrëfyera nga përvoja njëzetvjeçare e Davide Quadrio dhe të realizuara falë bashkëpunimit të frytshëm me Harabel, jam i sigurt se do të ndihmojnë për të forcuar vlerën e artit publik në Tiranë dhe për të paraqitur në një mënyrë të re lidhjen midis historisë, mitologjisë dhe bashkëkohësisë shqiptare”, shpjegon ambasadori Bucci.

“Harabel e konsideron “I VEGGENTI” jo vetëm si një mundësi për të prezantuar para publikut shqiptar mendimin artistik provokues dhe ironik, të sjellë nga artistët Patrick Tuttofuoco dhe Andrea Anastasio përmes një ekspozite të ngritur në një vilë të vjetër, që shërbeu si shtëpi e nomenklaturës komuniste para vitit 1991, por edhe një ndërhyrje të freskët dhe tunduese në qytet, që do të lërë pas jehonën e saj përmes dy instalimeve të artit publik, të cilat do të ekspozohen përgjithmonë”, thotë Ajola Xoxa, një nga themeluesit e Harabel dhe bashkëkuratore e ekspozitës.

“Capo d’Arte, një shoqatë kulturore jofitimprurëse në Salento e angazhuar në përhapjen e artit bashkëkohor, është krenare që promovon një projekt për të rritur ndërgjegjësimin mbi përsosmërinë e artit bashkëkohor italian jashtë vendit, duke na lejuar kështu të shohim peizazhe artistike të panjohura dhe të eksplorojmë botë të ndryshme krijuese në dy vende aq afër sa Shqipëria dhe Italia “, thotë Francesca Bonomo, themeluese e Capo d’Arte.

“Ardhja nga Italia dhe takimi me një kulturë kaq të pasur dhe shumështresëshe, që ka aq shumë për t’i dhënë anës tjetër të detit Adriatik, ishte një udhëtim me të vërtetë i papritur dhe një zbulim që hap një rrugë afatgjatë të kërkimit dhe bashkëpunimit”, tha Davide Quadrio, bashkëkurator i ekspozitës dhe themelues i Arthub.

EKSPOZITA

Në vilën e vjetër në rrugën Ibrahim Rugova, ku do të mbahet ekspozita, vizitori do ta gjejë veten në një itinerar që së pari do ta çojë atë të drejt takimit me tri vepra të Tuttofuoco-s dhe dy të Anastasio-s në katin e parë.

Calypso, Laelia, Cambria, punuar nga Tuttofuoco, janë tri maska qeramike në formë petali, të cilat vëzhgojnë vizitorin nga maja e një mbështetëses prej metali të ashpër, të vendosura si një skuadër ushtarake e ngarkuar për t’i dhënë ekspozitës mbrojtjen e një elementi mashkullor. Të tria maskat u prodhuan falë Ceramiche Gatti, sponsori teknik i ekspozitës.

Time Capsule, gjithashtu nga Tuttofuoco, është një pasqyrë e vendosur në mur, në të cilën është shtypur një imazh krahësh dhe duarsh të ndërthurura, një gjest i rezistencës dhe i bashkësisë. 

The Path përfaqëson një nga fushat e reja kërkimore të Patrick Tuttofuoco, jo vetëm për mediumin (neoni) që ka qenë gjithmonë pjesë e gjuhës së tij krijuese, duke e “historicizuar” atë në një traditë moderne-bashkëkohore që kishte paraardhës të shquar si Fontana, por veçanërisht për hulumtimin mbi një aspekt “humanizues” dhe referencat jo aq abstrakte, gjeometrike ose agresive ndaj artit të rrugës. “The Path” është një gjest ndriçues, një mirëseardhje poetike për t’u rilidhur me njerëzimin: dy duar në një bisedë të vendosur me një gjest shoqëror.

The Hours, nga Anastasio, është një llambadar i madh venecian, i punuar me dorë në xham Murano të fryrë, i cili përçon dritën nga tavani në dysheme, duke përforcuar ndarjen midis funksionit dhe formës dhe duke ndryshuar perceptimin hapësinor të të brendshmes.

Room with a view, gjithashtu nga Anastasio, është një batanije dyfishe, e cila del nga një dysheme me pllaka të bardha, duke destabilizuar hapësirën e njohur ndryshe si shtëpiake. Referencat skulpturore për Carl Andre tregojnë në mënyrë kritike metodat kompozicionale me origjinë minimaliste.

Në katin e sipërm të vilës gjenden punime që pasqyrojnë drejtpërdrejt kërkimet e përbashkëta të artistëve mbi historinë dhe kulturën shqiptare: dy vepra nga Anastasio që rrethojnë La Veggente, veprën e Tuttofuoco-s.

Instalacioni La Veggente (Androniqi Zengo) identifikon dhe gjurmon një moment themelor në historinë e afërt të Shqipërisë dhe të kaluarës së saj të rëndësishme kulturore: është një portret i Androniqi Zengo (1913 – 2000) një nga ikonat e artistëve shqiptarë, gati një orakull, e aftë të parashikonte kohët, duke u kthyer në një figurë me rëndësi të madhe për brezat e ardhshëm. Fuqia e Androniqit përqendrohet në syrin e tretë, pika e kanalizimit e përfaqësuar nga një lule ekzotike dhe e fuqishme, orkidea, sa e brishtë në të njëjtën kohë dhe e fuqishme, një bimë që jeton përmes bimëve të tjera dhe me bimë të tjera, një lule e importuar në Evropë si provë e prekshme e lavdisë imperialiste.

Celibe-2021, gjithashtu nga Anastasio: një grup polifonik i Gjirokastrës këndon këngë tradicionale shqiptare, këngë për dasma apo funerale, këngë lamtumire dhe nostalgjie. Grupi polifonik këndon, por tingulli është i mbytur, pothuajse i padëgjueshëm: ai transmetohet drejtpërdrejt në anën tjetër të Adriatikut, në molin e portit të Barit dhe në Grecia Salentina, afër Lecce-s. Kënga, në fakt, do të transmetohet si pjesë e instalacionit inaugurues të CORA, qendra për artin bashkëkohor në Castrignano dei Greci.

Attraverso-2021, nga Anastasio, është një perde e brishtë dhe tejdukshme që derdhet nga basorelievi i krijuar për fasadën e ndërtesës së Kryeministrisë në Tiranë, një vepër e periudhës komuniste. Rrëfimi i basorelievit, me karakter të fortë propagandistik dhe retorik, këtu zbërthehet dhe transferohet në një perde dantelle. Mbivendosja sjell errësirën origjinale monumentale në dialog të drejtpërdrejtë me estetikën shtëpiake të perdes / diafragmës së ndërfutur midis së jashtmes dhe së brendshmes. Historia, ngjarjet e saj dhe ndikimi i tyre në fatet individuale shihen nga një dimension i brendshëm dhe zbukurues, gjysmë transparent. Si një kujtim i paprekshëm, por i tanishëm, perdja ngjyros brendësinë e formave të së kaluarës, duke lehtësuar ndikimin e tyre, ndërsa ende i kujton ato.

Si një projekt ndërkulturor, ekspozita I VEGGENTI qëndron si një moment historik në marrëdhëniet midis dy vendeve kaq të afërta, e po kaq të largëta.

Rreth artistëve

*Andrea Anastasio lindi në Romë në 1961, studioi filozofi dhe histori arti në Universitetin e Venecias të Ca ‘Foscari. Ai ka punuar në projekte për Artemide, Memphis, Galerinë e Dizajnit të Milanos, Sawaya & Moroni e Danese, duke u pozicionuar si protagonist i dizajnit të ri italian. Në të njëjtën kohë ai riinterpretoi dhe çmitizoi kulturën e dizajnit industrial përmes artit, duke filluar një reflektim mbi hapësirat shtëpiake dhe filozofinë e të jetuarit. Kërkimi i tij përqendrohet në manipulimin e objekteve, mallrave të konsumit dhe subjekteve të kontekstit shtëpiak për të gjeneruar qarqe të shkurtra gjuhësore dhe sabotim të kuptimit. Ai është i interesuar në studimin e poetikës dhe konvergjencën e mundshme midis artit dhe dizajnit. Në vitin 1992 ai u transferua në Indi, ku kontribuoi në katalogimin e arkitekturës Islame Indiane për UNESCO dhe mori pjesë në projekte për rinovimin e teknikave tradicionale artizanale. Ai ishte artist në rezidencë në Muzeun Isabella Stewart Gardner në Boston në 2005-ën dhe 2008-ën dhe ka qenë pjesë e ekspozitave vetjake dhe në grupe në galeri të ndryshme italiane dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu: Paris, France; Jordania; Dallas, SHBA; Boston, SHBA; Kogei – Muzeu Prefekturor i Artit dhe Dizajnit – Toyama – Japoni; Musee des Arts Decoratifs – Montreal, Kanada; Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Napolit MANN; MART i Trentos dhe Rovereto; Muzeu MAXXI i Arteve të Shekullit XX, Romë; Muzeu Ndërkombëtar i Qeramikës MIC, Faenza; Triena e Milanos; Ohio, SHBA; Shangai, Kinë. Ai fitoi çmimin Best Light në Salone del Mobile në Milano në vitin 2017 dhe Best Light, SHBA në vitin 2017.

*Patrick Tuttofuoco ka lindur në Milano, 1974 dhe jeton e punon aty. Praktika e Tuttofuoco-s zhvillon një dialog midis individëve dhe aftësisë së tyre për të transformuar mjedisin në të cilin jetojnë. Tuttofuoco ndërthur Modernizmin dhe Pop-in dhe e shtyn figuracionin drejt
abstraktes, duke përdorur njeriun si një paradigmë të ekzistencës, matricës dhe njësisë matëse të realitetit. Nga ky proces interpretues dhe njohës, prodhohen versione të pafundme të individit dhe kontekstit në të cilin ai jeton, nga të cilat gjenerohen forma të tilla që gjallërojnë skulpturat. Patrick Tuttofuoco ka marrë pjesë në Bienalen e 50-të të Venecias (2003), Manifesta 5 (2004), Bienalen e 6-të të Shangait (2006) dhe Bienalen e 10-të të Havanës (2009). Punimet e tij janë ekspozuar në institucione të ndryshme ndërkombëtare si Fondacioni Sandretto Rebaudengo, Torino, Itali (2006) dhe Künstlerhaus Bethanien, Berlin (2008). Ndër shfaqjet më të fundit solo dhe grupore: It’s always
been about time, BASE, Firence (2021); L’amor che move il sole e l’altre stelle, CityLife, Milano (2021); REAL ITALY, MAXXI, Romë (2020); 10×100 Fabbrica d’arte contemporanea, Giovanardi Spa, Concorezzo, Monza, Itali (2019); Elevatio Corpus, Tre Progetti per Ghizzano,
Ghizzano, Piza, Itali (2019); Gremio Ermanno Casoli, Serra San Quirico, Ankora, Itali (2019), Maxxi, Romë, Italia (2018); Galleria Cracco, Milano, Itali (2018); MACRO, Romë, Itali (2017); ; Plasma Plastic Modern Art, Milano, Itali (2017); Mega, Venecia, Itali (2017); Federica
Schiavo Gallery, Milano, Itali (2016), Torino, Itali (2015); PAC, Milano, Itali (2015), Madrid, Spagna (2013); MAMbo, Galleria d’Arte Moderna di Bologna, Bologna, Italia (2013), New York, USA (2012), Toronto, Kanada (2012), Herford, Gjermani (2011), Zyrih, Zvicër (2010),
Londra, BM (2009), Kanzawa, Japoni (2009), etc.