23 gushti 2018 sjell në Muze Memorial – ish-kampi i internimit nr. 6, në Tepelenë në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, një tërësi veprimtarish përkujtuese me karakter shkencor, ekspozues, ceremonial (nderimi) dhe artistik.

Realizuesit e kësaj veprimtarie: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri qytetare vepruese, me mbështetjen e PNUD-it në Shqipëri, qeverisë së Italisë dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës organizojnë “Dita-Muze / Memorial, Tepelenë”.

Pjesë e kësaj dite përkujtimore është projekti “N’dritë”, një bashkëpunim midis AIDSSH-së, Harabel-it dhe MEMO-s, i cili u kurua nga Harabel dhe përfshin këto projekte:

“Sikur Mama”, realizuar nga MEMOshoqëron të ftuarit (për 2 kilometra) me kamion deri në hyrje të kampit edhe me një këngë të kënduar nga Mariza Ikonomi, këngë e frymëzuar nga dëshmia e Klora Merlikës, e mbijetuar;

“Shtrati-dhomë”, mundësuar po nga MEMO, risjell strukturën e drunjtë të përngjashme me atë në të cilën jetonte dhe flinte një familje e tërë në kamp. (Bazuar në dëshmi);

I përkasim njëri-tjetrit”, sërish nga MEMO, është nismë e një grupi intelektualësh dhe artistësh të pavarur, që merr formë “N’dritë” përmes një videoje me karakter socio-artistik, e cila rrëfen në vetën e parë histori të të mbijetuarve në Tepelenë nga përfaqësues të moshave, shtresave e profesioneve të ndryshme.

 “Edhe muret kanë veshë” nga Alketa Xhafa Mripa është programi shumëpërmasor që përmbledh dëshmitë e të mbijetuarve të Tepelenës në arkivin e dëshmive gojore të AIDSSH-së, i cili u pasqyrua në vendin që e lindi, në muret e kampit të Tepelenës. Projekti i plotë është fryt bashkëpunimi midis Autoritetit dhe partnerëve me artisten Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Ramën, me të cilën është punuar për krijimin e platformës ndërvepruese Edhe muret kanë veshë”, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të mbështetjes që qytetarët e Tepelenës kanë treguar ndaj ish-viktimave.

“6-vjeçarë që vendbanim patën birucën” dhe “11-vjeçarë që nuk mund të luanin, sepse duhej të punonin” detyruar nga “hiena të sistemit që nuk ngopeshin kurrë”… Këto s’janë veçse grimca të dëshmive të hidhura të të mbijetuarve për të cilët jeta ishte “mollë e ndaluar”…

Prapëseprapë, edhe në ato kushte çastet e gëzimit si mjet mbrojtës ndaj vuajtjes, nuk kanë munguar. Shi për këtë arsye, në përmbyllje të ditës dhe veprimtarive, tingujt e muzikës së grupeve “Tre Musketierët” dhe “Asgjë Sikur Dielli” shpërhapin rëndesën e kujtesës në kohë, duke sjellë dritë dhe shpresë përkundër errësirës dhe dhimbjes, si një formë epërsie të jetës ndaj vdekjes dhe çdo forme vrasëse ndaj saj.