Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL pati kënaqësinë të ftojë publikun në performancën artistike “Fryma e Artistit”, realizuar nga Dy Guliverët (Flutura dhe Besnik Haxhillari) dhe kuruar nga Ajola Xoxa. Ngjarja artistike në fjalë u zhvillua te Reja më 25 maj 2019, duke filluar në orën 00:00, për t’u përmbyllur në orën 12:00 (të mesditës) me një bashkëbisedim midis artistëve dhe të pranishmëve në veprimtari.
Shkrimi kuratorial “DHE KËTU DHE TJETËRKUND”
Flutura dhe Besnik Haxhillari (Dy Guliverët)janë të ndërgjegjshëm dhe të qetë me idenë se jetojnë në shekullin e XXI: të qartë se puna e tyre integrohet në një botë që lëviz me shpejtësinë e informacionit dixhital dhe teknologjisë, e cila e ripërkufizon trupin në pafundësi. Brenda kësaj bote automatike, ata krijojnë hapësira mendore (dhe fizike) të cilat krijojnë një tension shumë të posaçëm mes tyre dhe publikut, tension i cili kthehet në një stimulant fizik dhe intelektual të përjetimit të një bote që qëndron pezull mes asaj reale dhe asaj imagjinare, si një rrugëtim mes realitetit dhe fiksionit, duke i ofruar observuesit mundësinë për t’u ndier njëkohësisht dhe këtu dhe tjetërkund.
Titulli i performancës (“Fryma e Artistit”), të rikujton pashmangshmërisht veprën e Piero Manzonit (1960) me të njëjtin emër, vepër e cila ka shërbyer si një pikënisje për performancën e Dy Guliverëve, por vetëm kaq; i gjithë rrugëtimi dhe pikëmbërritja janë krejt të ndryshëm. Manzoni paraqet një vepër konceptuale (seri tullumbacesh të kuq, të bardhë ose blu, të fryrë dhe të ngjitur pas një pllake druri, në linjë të qartë me obsesionin e Manzonit me limitet e fizikes dhe në parodi me obsesionin e botës me të qëndrueshmen), ndërsa Dy Guliverët paraqesin një akt performativ me kohëzgjatje (12 orë), i cili kthehet në një eveniment artistik, duke kaluar gjerësisht kufijtë e veprës.
Në qendër të performancës së gjatë të Dy Guliverëve qëndron një send, tullumbaci i bardhë, krejt i rëndomtë, por po aq relacional me njeriun dhe të përditshmen: ky send na lidh me festat, ditëlindjet, dasmat… Tullumbaci mbushet me frymën e artistit, duke marrë një formë të re, bie në tokë, dhe në ripërsëritje krijon një skulpturë gjigande rastësore, por njëkohësisht aq të brishtë dhe delikate, që brenda vetes mban dhe kufizon “frymën e artistit”, apo frymën e kujtdo merr pjesë në performancë, si një përpjekje për ta ndalur kohën, për t’i dhënë formë, për të ruajtur dhe poseduar atë që në të vërtetë është e lirë dhe e paformë. Është sigurisht një metaforë e shfaqur me shumë freski, ndoshta dhe një tallje me përsiatjen e botës për ta kontrolluar të tashmen, por kulmimi i performancës është edhe një Memento Mori i pashmangshëm, i cili përforcohet edhe më tepër përgjatë dëshmisë së një performance që zgjat 12 orë, nga mesnata në agim e në mesditë, si sfidë ndaj trupit dhe nevojave apo dëshirave të tij.
Dy Guliverët janë strategë elegantë të ndërlidhjes së artit me jetën, pa e sjellë këtë në mënyrë arrogante apo këmbëngulëse, prandaj dhe “Fryma e Artistit” përngjan me një çast të lënë pezull në kohë, si ajo distanca perfekte që zgjedh kapiteni për ankorim, as në det e as në tokë, as këtu e as atje, në të pranishmen por njëkohësisht krejt tjetërkund.
Rreth artistëve
*Lindur në Shqipëri, Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari kanë studiuar artet pamore në Tiranë, Lozanë (Lausanne), Berlin dhe Montreal (Master dhe Doktoratë në UQAM). Që prej vitit 1998 ata kanë punuar si duo nën emrin artistik Dy Guliverët (The Two Gullivers). Ata kanë paraqitur veprat e tyre performative në Bienalen e Venecias (1999); After the Wall, Hamburger Bahnhof Berlin (2000); në Bienalen e Pekinit (2005); në VIVA Art Action në Montreal (2006, 2010); në galerinë Leonard & Bina Ellen, Montreal (2013); në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura në Kebek (Quebec) (MNBAQ) (2016) dhe në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Montreal (MAC) (2018). Ata kanë qenë pjesë e Installation Art in the New Millennium (2003); East Art Map (2006); Marina Abramovic: The Artist is Present (2010).
Besnik Haxhillari është profesor në Departamentin e Filozofisë dhe Arteve në Universitetin e Kebekut në Trois-Rivieres (UQTR). Ai është i interesuar për procesin e krijimit dhe të gjenetikës së artit të performancës nëpërmjet vizatimit përgatitor. Flutura Preka (PhD) është një artiste dhe kërkuese shkencore, anëtare e grupit të kërkimeve URAV në UQTR. Kërkimet e saj përqendrohen në subjektin e re-enactment si praktikë e re në performancën dhe artin bashkëkohor.