Back to Projects
Projects
Public art
article image
19th November 2020

“Bukurshkrimi” (“The Calligraphy”) | Adrian Paci/ Harabel Contemporary

Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL ka kënaqësinë t’ju ftojë në përurimin e veprës publike të artit “Bukurshkrimi” nga artisti Adrian Paci. Përurimi do të zhvillohet këtë të enjte, më 19 nëntor 2020, në orën 16:00.

Kjo vepër eshte e para ndër disa, pjesë e një projekti të HARABEL që ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.

Koncepti i veprës së artit

“Bukurshkrimi” është një punë që është menduar për tu vendosur në një hapësirë publike në Tiranë. Dy ministri i qëndrojnë anash, përballë ka Katedralen Ortodokse, nga ana tjetër e Bulevardit qëndron Teatri Kombëtar. Ndërkohë, duket sikur marrëdhënien më intime puna e ka me një pemë që qëndron në mes të këtij sheshi të vogël. Vepra daton në vitin 2020, por vjen si dëshmi e një reflektimi mbi një eksperiencë të fëmijërisë.

Një bankë shkolle, dy fletë bronzi të mbështetura mbi të. Mbi fletën e parë disa shënjime fëmije, të cilat ende nuk janë fjalë, por pikënisje e një artikulimi të ardhshëm. Mbi tjetrën lexohen të shkruara bukur disa fraza: “Tirana është kryeqyteti ynë”; “Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur”; “Tirana po zbukurohet dita-ditës”. Viti i shkrimit 1975, ndërkohë që vepra e artit vjen sot, si një gjurmë e reflektimit të mëvonshëm. Vepra hulumton së pari marrëdhënien e pushtetit politik me gjuhën si mjet manipulimi, por vjen gjithashtu si reflektim i vetë pushtetit të gjuhës, e cila është në thelb një bashkësi kodesh që marrin kuptim përmes përmbajtjes, që i zgjeron apo i ngushton mundësitë e ligjërimit.

Dy fletët mbi bankë rrinë si dëshmi të dy momenteve të ndryshme në kohë; një para e një mbas. Shenjat e pakodifikuara të fletës së parë shoqërohen në fletën e dytë me momentin “mbas”, ku frazat e shkruara bukur mbartin të gjithë peshën e deformimit propagandistik të asaj që në fletën e parë na shfaqet si potencialitet fillestar. Fleta me gjuhën si territor i mundësisë dhe fleta me gjuhën si territor i propagandës mbështeten në një bankë shkolle për fëmijë. Në hapsirën mes njerës fletë e tjetrës, sfumaturat e mbivendosjet mund të jenë të shumta, ashtu si të shumta mund të jenë sfumaturat mes kësaj pune të vogël dhe qytetit përreth me shenjat dhe shprehjet që artikulohen përditë mbi hapësirën e tij urbane.

Rreth artistit

Adrian Paci (i lindur në 1969 në Shkodër, Shqipëri) studioi pikturë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Në vitin 1997 ai u transferua në Milano ku jeton dhe punon. Ne vepren e tij Adrian Paci shpesh trajton temen e kujteses, te nostalgjise dhe te ndarjes, permes krijimit te nje imazhi angazhues te formes vazhdimisht te ndryshueshme te jetes dhe te artit. Motivet kryesore në veprën e tij përfshijnë udhëtimin, kalimin, pritjen – e cila është mbi të gjitha një gjendje pritjeje – dhe lidhjet me kohën dhe vendin e origjinës së dikujt, të cilat nuk janë dimensione në të cilat dikush mund të kthehet, por më tepër gurë të thellë që individët duhet të mbajnë me vete, për t’i dhënë edhe veprimeve më të zakonshme gamën e tyre të plotë të kuptimit.
Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e ekspozitave të ndryshme vetjake në institucione ndërkombëtare si: Kunshalle Krems (2019); Museo Novecento, Florence (2017) MAC, Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milano (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); Kunsthaus Cyrih, Cyrih (2010); Hapësira Bloomberg, Londër (2010); Qendra për Art Bashkëkohor – CCA, Tel Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Muzeu i Arteve Bashkëkohore, Hjuston (2005). Ndër ekspozitat e ndryshme në grup, veprat e Adrian Paci janë paraqitur gjithashtu në Ekspozitën e 14-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia (2014); në edicionin e 48-të dhe të 51-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia (përkatësisht në 1999 dhe 2005); në Bienalen e 15-të të Sidneit (2006); në Quadriennale 15-të di Roma, ku ai fitoi çmimin e parë (2008); në Bienalen e Lionit (2009); dhe në Bienalen e 4-të të Selanikut të Artit Bashkëkohor (2013).
Adrian Paci jep leksione për pikturë dhe arte pamore në Nuova Accademia di Belle Arti NABA, Milano. Ai ka dhënë orë mësimore arti në Accademia Carrara di Belle Ari Bergamo, 2002-2006, IUAV, Venecia 2003-2015 dhe ka dhënë leksione dhe seminare në shumë Universitete, Akademi Arti dhe Institucione në vende të ndryshme.

search cross