“Zâni” | Sadik Spahija/ Harabel Contemporary
Platforma HARABEL ka kënaqësinë t’ju ftojë në përurimin e veprës publike me titull “Zâni” nga skulptori Sadik Spahija, ditën e hënë, më 31 maj 2021, në orën 18:30, përgjatë Bulevardit Zogu I, përballë Tirana Bank.
Kjo vepër është e treta që instalohet ne Tiranë në kuadër të projektit Free Art të Platformës së Artit Bashkëkohor HARABEL, pas instalimit të veprave “Bukurshkrimi” të Adrian Paci dhe “EnoughIsEnough” të Alban Muja.
Përmes këtij projekti HARABEL synon afrimin e publikut me artin bashkëkohor, përmes instalimit të veprave të artit në hapësira publike, pa nevojën e hyrjes në galeri apo muze, si përforcim i qëndrimit të konsoliduar të HARABEL se arti është një mjet edukues dhe formues i individit, rritës i mendimit intelektual, mendimit kritik dhe imagjinatës, e jo thjesht dekorues.
Koncepti i veprës së artit
“Zâni” është një instalacion skulpturor i përbërë nga ndërthurja e tubave të hekurit të madhësive të ndryshme, që duket sikur mbajnë njëri-tjetrin pezull mes lojës që drita bën me to.
Kjo vepër është fizikisht imponuese: e përmasave shumë të mëdha, arrin 16 m lartësi e gjerësi, është e rëndë dhe me vëllim monumental; e megjithatë ajo duket si një projeksion transparent i vetvetes, sikur nuk ka peshë, por është transkripti metaforik i një melodie të sjellë prej vërtitjes së erës mes një pylli pemësh të paprekur nga njeriu. “Zâni” është pikërisht versioni figurativ i një grupimi pemësh degët e të cilave ndërthuren për t’i krijuar hije kalimtarit, e njëkohësisht duke e lënë atë të shijojë edhe depërtimin e dritës së diellit apo vijëzimin e kontureve të lakuara nga drita e natës, si një përjetim urban i formave të së ardhmes, të njeriut që pavarësisht ku shkon me krijimet e tij, mbetet pashmangshmërisht i lidhur me zërin e vëllimet që ai gjen të gatshme tek poetika e natyrës: gjithmonë perfekte.
“Zâni” nuk kërkon të jetë çka nuk është. Kjo është një vepër që kërkon të përcjellë paqe dhe harmoni mes natyrës e urbanes, apo si ndërlidhëse e tyre. Ajo nuk kërkon të përçojë ndonjë mesazh të koduar artistik, por të nënvizojë, sërish, se më pak është më mirë dhe se natyra e ka zbërthyer bukurinë shumë më parë se ta bëjmë ne, rastësisht dhe pa asnjë gabim.
Ajola Xoxa
Rreth artistit
Sadik Spahija lindi në Shkodër, Shqipëri në 1959. Ai studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe u diplomua në 1983. Deri në vitin 1989 ai punoi si mësues skulpture në Shkollën e Mesme Artistike në Shkodër dhe nga 1989 është pedagog në Akademinë e Arteve. Ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në Shqipëri dhe jashtë saj si: “50-vjetori i Akademisë Ndërkombëtare të qeramikës”, “Ekspozita Ballkanike në Athinë”, Greqi 2002, në Paris, Tiranë, etj. Ndërsa ekspozitat e tij më të rëndësishme personale ishin në Berlin dhe Halle, Gjermani në 1995, në Paris, Francë në 2003, më e fundit titullohet “Nën Presion” dhe u zhvillua në Tiranë në 2012, në galerinë FAB. Sadik Spahia është gjithashtu fitues i çmimit të parë të Konkursit Kombëtar të Arteve Pamore “Onufri” në vitin 1996. Ai gjithashtu është vlerësuar me shumë çmime të tjera: Çmimi i parë në konkursin e kompleksit skulpturor “Kongresi i Lushnjës”, Çmimi i Artë “Naim Frashëri ”nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2007, etj.