Piktura e Hasan Nallbanit nuk është e shënjuar nga etapat historike ndër të cilat ai ka jetuar, së paku jo në mënyrë klasike. Madje, duket sikur ai ka notuar mes tyre, në një lloj pluskimi, duke i mbetur besnik natyrës origjinale të krijimtarisë së tij. Pavarësisht jetës së tij aq të gjatë krijuese (jemi në 85-vjetorin e jetës së artistit), ai është i freskët dhe bashkëkohor, dhe madje pa e pasur qëllim këtë, por në mënyrë burimore. Nallbani jeton dhe punon në të njëjtën studio të rinisë së tij, dikur periferike, sot një prej zonave më dinamike të kryeqytetit. Ai e vëzhgon jetën me qetësinë e atij që e njeh, duke i marrë thjeshtë ndjesitë prej saj, si një tribut i jetës lineare të vëzhguar së jashtmi, pa dashur të gjejë një hero.
Mund ta parafytyrosh artistin se si pas endjes në qytet, ai kthehet në studion e tij dhe hedh në tablo ndjesitë e së jashtmes, të njerëzve të panjohur që u kalojnë tangent përjetimeve të tij, të cilëve kërkon t’u japë gjendje pa të shkuar e pa të ardhme. Ai i vëzhgon jetët e të tjerëve në rrjedhën e tyre, duke krijuar një gjendje që nuk është përndjekje e të tjerëve, por përndjekje e vetes. Pashmangshmërisht, përfytyrimi i çlirimit të dëshirës së observimit të fshehur ka pamjen e natës.
Ekspozita është e ndërtuar si një përjetim, si një lëvizje që nis te tjetri dhe merr formë brenda vetes, për t’u zgjatur në një hapësirë të përbashkët ku jemi fillimisht vëzhguesi i padukshëm e më pas i vëzhguari i gjykuar, pa rrugë të mesme. Jetët e të tjerëve ndodhin duke u vëzhguar si përtej gjysmëerrësirave të netëve të verës ku dielli është hënë dhe retë janë yje mesnate. Figurat dhe karakteret transmetojnë gjendje emocionale të heshtura, edhe pse të forta, që duket sikur janë ndërtuar prej mendimesh të pathëna dhe dëshirash të fshehta. Aty ku personazhet janë vetëm e të kthejnë shpinën apo të shohin përballë drejt e në sy, ti ndien se piktori nuk mban asnjë qëndrim mbi jetët e tyre, ai i vëzhgon pa u ndërhyrë në përjetime, dhe i hedh në tablo po ashtu pezull, të lëshuar në karriget ku ulen apo në pozicione të parehatshme ku ata do të qëndrojnë në tension përjetë.
Ti nuk e di, nga një tablo te tjetra, se cilën rrugë do të zgjedhin, sepse duket sikur artisti u ka lënë lirinë e zgjedhjes. Ama për ty ata ekzistojnë veçse në atë çast, pa të shkuar. Ndjesia se diçka e jashtme i mban pezull vjen jo vetëm prej shprehisë së personazheve, por edhe prej strukturës dhe ngjyrave të skenave të pikturuara, duke të të kujtuar, më thellësisht, por në mënyrë të pashmangshme, se në një shoqëri ku njeriu nuk jeton dot pa tjetrin, individi e përjeton lirinë si barrë.
E si pasojë e po kësaj vetëdijeje, e po këtij përjetimi, të tjerët je dhe ti. Është dhe vetë piktori. Ata që ishin vëzhgues të fshehtë, të shohin tanimë përballë, me fytyra të zmadhuara përtej përmasave njerëzore, me shprehi që nuk qëndrojnë më pezull, por qeshin, përqeshin, urrejnë, frikësohen, tentojnë t’i regjistrojnë lëvizjet e tjetrit sikur edhe jetët e të tjerëve t’u përkasin. Këto fytyra u përngjajnë sagomave që zgjaten të shumëfishuara vertikalisht, e i gjen kudo rreth teje e mbi ty, me ndjesinë mbytëse se nuk je vetë zot i jetës tënde. Është sikur këto qindra fytyra që të vëzhgojnë janë vënia në skenë e një drame moraliste ku i gjykuari është i detyruar të marrë një vendim të paracaktuar.
Por në moshën 85-vjecare frika funksionon krejt ndryshe. Nuk është më jeta që të frikëson, nuk janë më njerëzit. Dhe për të njëjtën arsye që piktori i lëshon jetët e të tjerëve në rrjedhën e tyre, pa i prekur; përballë fytyrave të shpërfytyruara vëzhguese që duket sikur po të ulërasin përmbi, qëndron një grua-vajzë e paqtë dhe e sigurt, që i vëzhgon të gjithë ata njëherësh, krejtësisht e zhveshur, me atë sigurinë që shfaqet tek akti i nisjes së një buzëqeshjeje në buzë, vëzhguese dhe e vëzhguar, as vëzhguese e as e vëzhguar. Njerëzit nuk ndryshojnë, e megjithatë bota ndryshon.
Ajola Xoxa